Papa Françesku synon që së shpejti të realizojë një vizitë në Kosovë.
Kështu ka thënë vet ai në një intervistë për revistën spanjolle Vida Nueva, të botuar sot.
“Jemi duke punuar për vizitë në Kosovë, por asgjë nuk është vendosur”, tha Papa Françesku, raporton Paparaci.
Ai po ashtu ka paralajmëruar vizita në Argjentinë, si dhe Uruguaj.
“Mund të konfirmojmë se Argjentina është në program. Do të shohim nëse do të ndodhë pas vitit zgjedhor 2024. Pasi të mbarojnë zgjedhjet, është e mundur”, tha Jorge Bergoglio, pa specifikuar data konkrete.
Në këtë intervistë, Papa Françesku zbuloi se ai po konsideron emërimin e një “përfaqësuesi të përhershëm” për të “shërbyer si urë” midis Rusisë dhe Ukrainës, në të njëjtën kohë që ai njoftoi se i dërguari i tij special për të ndërmjetësuar luftën do të udhëtojë në Pekin, duke pasur parasysh se tashmë ka vizituar Kievin, Moskën dhe Uashingtonin.
Pas udhëtimit që po bën aktualisht në Lisbonë, në kuadër të Ditës Botërore të Rinisë, Papa do të udhëtojë në Mongoli midis 31 gushtit dhe 4 shtatorit dhe do të marrë pjesë në Marsejë, Francë, në Takimet mesdhetare, më 22 dhe 23 shtator.