Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pasi Kushtetuesja e shpalli si antikushtetues Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se kjo ishte edhe arsyeja e “zhurmës” në seancën e fundit të Kuvendit, pasi sipas saj, “pushteti tentoi t’i kontrabandojë ndryshimet e njëjta për së dyti”.
“Ligji për Zyrtar Publik, u shpall kundërkushtetues. Kjo ishte arsya pas gjithë zhurmës në seancën e fundit të mbajtur. Kjo ishte arsya pse pavarësisht që I NJËJTI ligj trajtohej në Gjykatë Kushtetuese, u munduan të kontrabandonin ndryshimet e njëjta për së dyti. Jo në Kosovë! Jo në demokraci!”, ka shkruar ajo.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë me dije se ka rrëzuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim një grup i deputetëve opozitarë.
Ankesat kundër Ligjit për Zyrtarët Publikë i kishin dërguar ndaras dy grupe të deputetëve: një grup nga LDK-ja, i prirë nga shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi dhe një grup nga PDK-ja i prirë nga deputeti Isak Shabani.