Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka mohuar se ministria e tij ka importuar shtylla të ndriçimit nga Serbia.
Ai thotë se nuk janë përgjegjës për importimin e tyre dhe se nuk do të dëshironin që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia.
Më anë të një shkrimi në Facebook, Aliu lajmin se MMPHI ka importuar shtylla nga Serbia e ka cilësuar si dezindormatë.
Ai ka thënë se Ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë, apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato importojnë.
“Ministria mbikqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo Ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara. Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Tutje, ai ka shpjeguar se pse Ministria që ai drejton nuk është përgjegjëse për importimin e këtyre shtyllave.
“Po ashtu, si Ministri ne përcaktojmë specifikacionet teknike dhe dimensionet, por me ligj e kemi të ndaluar që të favorizojmë një produkt apo një prodhues. Sigurisht se ne nuk do të dëshironim që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt, e sidomos nëse mund të sigurohet produkti nga vendet tjera.Prandaj, të gjitha pretendimet që fajësojnë Ministrinë për lëndën e parë që e përdor një kompani private, janë të pavërteta, dhe me tendencë për të dezinformuar dhe mashtruar opinionin public”, ka shkruar ai tutje.