Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të incizimeve nga Gazeta Nacional për aferën e grurit në rezerva shtetërore.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria e Albin Kurtit i ka futur duart në sofrat e qytetarëve duke vjedhur produktet bazike ushqimore.
“Nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore.” – ka shkruar Krasniqi.
Ai tutje ka thënë se afëra e grurit është vulë e mentalitetit qeverisës e pushtet të përqendruar në korrupsion e keqpërdorim.
“Afera e fundit – afera e grurit – është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?” – ka shkruar ndër të tjera kreu i PDK-së.
Ai tutje ka përmendur edhe koordinimin me kriminelin Radojçiqi, duke shkruar se kjo Qeveri kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve i tensionoi raportet me aleatët.
“Në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve, kjo Qeveri u koordinua edhe me një kriminel si Radojçiqi. Kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve, kjo Qeveri i tensionoi raportet me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kjo tufë keqbërësish i solli edhe sanksione Kosovës, ndërsa politikat e tyre të çoroditura po e shpopullojnë vendin anembanë – vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit gati 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendlindjen në kërkim të perspektivës diku në shtetet perëndimore.” – ka shkurar ai.
Krasniqi ka thënë se Kosovës i mungojnë tri elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës, transparenca, llogaridhënia, drejtësia.
Ai ka thënë se vetëm zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.
“Derisa aferat dhe skandalet korruptive po shumëfishohen, tri nga elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës sot po i mungojnë Kosovës: transparenca, llogaridhënia, drejtësia! Por, që të trija këto do t’i kërkojmë e do t’i realizojmë – deshën apo s’deshën pushtetarët e sotëm. Kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kjo Qeveri nuk i mbron më interesat e shtetit. Zgjedhjet e reja dhe rikthimi i mandatit tek qytetarët janë e vetmja zgjidhje përpara. Sa më parë, aq më mirë – edhe për shtetin edhe për qytetarët!” – ka përfunduar Krasniqi.