Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka deklaruar të mërkurën se ka përcjell me shqetësim siç thuhet, presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica.
Kjo pasi e njëjta bashkë me gazetarë e kameramanë të tjerë e kanë bojkotuar konferencën për shtyp të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se ‘si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari’. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares”, thuhet në komunikatën për media.
AGK-ja e ka konsideruar bojkotin e së martës si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe mediave, dhe ka ftuar partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.
Gjithashtu, AGK-ja e ka ftuar menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren.