Që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, Spanja ka varguar episode të ngathtësisë diplomatike dhe mosmarrëveshjeve të pakëndshme me vendin e ri ballkanik.
Strategjia spanjolle e syve që nuk shohin, e zemrës që nuk ka ndjenjandaj Prishtinës, është shfaqur në shumë raste, duke filluar nga samitet evropiane, e deri te ndeshjet e futbollit, shkruan e përditshmja më e madhe spanjolle, El Pais.
Një vit pas inaugurimit të Presidencës së saj të radhës brenda Këshillit të BE-së, Spanja gjendet para një skenari optimal për të përcaktuar dhe filluar të gjurmojë rrugën e saj diplomatike (deri më sot, detyrimisht të pavlefshme) me këtë vend. Spanja është e përgatitur të fillojë një proces të shkrirjes së marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën dhe është momenti i përshtatshëm që ta bëjë këtë menjëherë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Sekretari i atëhershëm i Shtetit për BE-në, Juan González-Barba, deklaroi në se Spanja po përgatit një afrim me Kosovën: “Strategjia jonë me Ballkanin Perëndimor nuk është e plotë nëse vazhdojmë ta injorojmë Kosovën.
Këto deklarata, të cilave u bënë jehonë media të ndryshme kosovare, ngjallën natyrshëm entuziazëm në Prishtinë duke nënkuptuar se Madridi, arra më e vështirë për t’u thyer në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e njohin Kosovën, me gjasë ka filluar procesin për shkrirjen e marrëdhënieve me Kosovën. Nga njëra anë, ky ishte një lajm i mirë për Kosovën, por edhe për Spanjën: fjalët e González-Barba përbënin, mbi të gjitha, një dëshmi të qartë se kjo çështje kishte arritur në tryezën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pavarësisht se ishte konsideruar një temë tabu për Qeverinë; aq tabu, madje, sa mendohej e harruar.
Modeli i zbatuar nga Greqia që mban lidhje diplomatike dhe aktivitet tregtar me Kosovën përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Prishtinë, ilustron një nga variantet e shumta të mundshme të bashkëpunimit. Duke kursyer distancat, madje duke pranuar afërsinë gjeografike midis Greqisë dhe Kosovës, Spanja mund të zgjedhë një shkallë më të moderuar të përfshirjes, për shembull, përmes hapjes së një zyre tregtare në Prishtinë, për të cilën do të ishte kompetente Ambasada e Spanjës në Maqedoninë e Veriut.
Pushtimi rus i Ukrainës ka tronditur tabelën gjeopolitike evropiane të shahut, duke promovuar rikonfigurimin e aleancave dhe duke përforcuar polarizimin brenda institucioneve të ndryshme shumëpalëshe.Kosova, nga ana e saj, majin e kaluar aplikoi për pranim si anëtare e Këshillit të Evropës. Duke përfituar nga përjashtimi i Rusisë nga organizata disa javë më parë, Prishtina njoftoi se së shpejti do të dërgojë kandidaturën për anëtarësim në Strasburg.
Edhe pse ende nuk dihet se kur do të votohet, numrat janë në favor të Kosovës: Nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Evropës, 34 prej tyre e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Kosovës i nevojitet shumica prej dy të tretave, apo 31 vota për tu anëtarësuar në KE.Lufta në Ukrainë po vepron si një mjet unifikues në të gjithë BE-në. Në këtë kontekst, Spanja duhet të tregojë gjithashtu ndjeshmëri politike ndaj çështjeve të tjera që rrezikojnë stabilitetin e unionit dhe kufijtë e tij të jashtëm. Anëtarësimi eventual i Kosovës në Këshillin e Evropës është një prej tyre.
Megjithëse vota negative e delegacionit spanjoll merret si e mirëqenë, vendi duhet të reflektojë mbi implikimet e këtij gjesti, i cili do të kontribuonte në izolimin e mëtutjeshëm të një shteti të ri, thellësisht evropian dhe në një vijë qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me agresionit rus në Ukrainë, përcjell GazetaBlic.