Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se qëllimi i opozitës është që sa më shpejtë ta rrëzojë Qeverinë.
“Opozita e ka një qëllim që sa më shpejt ta dërgojë këtë qeveri në shtëpi, sepse po i bën dëm Kosovës. Duhet të ketë një koordinim sepse për mocion na duhen 61 vota për më rrëzu këtë qeveri”, tha ajo për Telegrafin.
Kadrijaj u shpreh më tej se deputetët e opozitës duhet të japin nënshkrimet për mocionin e mosbesimit.
“Do të punojmë në këtë drejtim, dhe unë mendoj që edhe partitë tjera opozitare nuk do të hezitojnë për t’i dhënë nënshkrimet, por duhet një angazhim maksimal, pasi që na duhen vota që kjo qeveri të shkon në shtëpi. Siç e dini deputetët janë në pushim dhe Kuvendi është në pushim vjetor”, potencoi ajo.
Sipas deputetes Kadrijaj, Qeveria Kurti po shkakton vetëm dëme vendit, prandaj zgjidhja e duhur është rrëzimi dhe shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare.
“Të gjitha partitë opozitare i kanë dhënë qëndrimet lidhur me situatën, duke ditur se në çfarë gjendje po shkon vendi, duke i ditur të gjitha dështimet që i ka pasur kjo qeveri, afera “zdravo”, afera me vajin dhe izolimi i Kosovës. Shkëputja e bashkëpunimit me aleatë qoftë me Bashkimin Evropian, qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, situata në veri, mos-koordimi me faktorin ndërkombëtar dhe as me partitë politike”, pohoi ajo.
Si përfundim, Kadrijaj tha “të gjitha veprime të kësaj qeveria janë duke i bërë dëm Kosovës, sa më parë që kjo qeveri të shkon në shtëpi është më mirë për Kosovën”.