Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna, ka bërë me dije se është dorëhequr nga kjo pozitë, për t’iu kthyer punës akademike në arsim e shkencë.
Ajo shkroi në Facebook të martën se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se takimi përshëndetës ishte në frymë pozitive.
“Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim”, shkroi Maloku.
Ajo u shpreh se është krenare për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjes e përfshirjes së vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e të matematikës.
“U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, thuhet në statusin e saj.
Maloku kishte marrë pozitën e zëvendësministres së MASHTI-t më 27 maj të 2021-s.