Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim gjatë ditës përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e kryeministrisë.
‘’Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje ekipit si dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e frytshëm. Projektet e përbashkëta me FMN-në ishin në fokus të diskutimit.Qeveria e Republikës së Kosovës u vlerësua për zhvillimin ekonomik në dy vitet e fundit. U theksua se të hyrat buxhetore janë rritur rreth 15% ndërkaq niveli i inflacionit ka rënë dukshëm, në vetëm 2.8% në muajin qershor.Kryeministri nënvizoi se sipas të dhënave të ATK-së, për herë të parë ekonomia jonë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive. Duke shërbyer kështu si dëshmi e suksesit të politikave tona të punës dhe ekonomike që kanë ndihmuar gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara, sipërmarrësit dhe të tjerët të jenë pjesëmarrës të suksesshëm në fuqinë punëtore’’, thuhet në njoftim.
Po ashtu është bërë e ditur se Përfaqësuesit e FMN-së thanë se duke pas parasysh këto të dhëna dhe zhvillime, Kosova ka një të ardhme të ndritur përpara.
‘’Ata gjithashtu u shprehën falënderues për bashkëpunimin e mirë ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.’’, u tha në njoftim.