Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili ka folur për marrëdhëniet Turqi –Kosovë dhe situatën e tensionuar në veri.
Angili ka deklaruar se mbështesin fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, porse nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje.
“Ne mbështesim fuqishm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje. Vetëm një zgjidhje diplomatike do të siguronte stabilitet të qëndrueshëm. Prandaj, të gjitha palët duhet të punojnë për të arritur progres në procesin e dialogut. Përshkallëzimi nuk është i dobishëm. Pra, ne duam të shohim de-përshkallëzimin në veri, i cili do të hapte rrugën për rifillimin e procesit të dialogut. Në këtë drejtim, zgjedhjet në veri me pjesëmarrjen e plotë të popullatës serbe do të ofronin terrenin e nevojshëm për negociata kuptimplote. Turqia do të jetë e gatshme të kontribuojë në këtë proces nëse të dyja palët dëshirojnë ta bëjmë këtë“, deklaroi ai për Telegrafin.
Ambasadori u pyet gjithashtu për dronët ‘Bayraktar’ të blerë së fundi nga Kosova prej Turqisë, dhe nëse do të ketë blerje të tjera ushtarake.
“Bashkëpunimi për mbrojtje është vetëm një pjesë e bashkëpunimit tonë me Kosovën. Megjithatë, kohët e fundit filloi të konsolidohet një perceptim se roli i Turqisë është vetëm në fushën e bashkëpunimit të mbrojtjes. Kjo nuk është e vërtetë. Ashtu si anëtarët e tjerë të NATO-s, ne mbështesim tranzicionin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Në këtë proces ne mbështesim Forcat e Sigurisë së Kosovës si aleatët e tjerë të NATO-s. Deri më tani, blerjet e reja ushtarake nuk janë në agjendën tonë. E rëndësishme është që qëllimi i tyre është mbrojtës dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje është plotësisht në përputhje me kornizën e NATO-s dhe jo kundër ndonjë vendi të tretë përfshirë Serbinë”, deklaroi ai.