Pak çaste më parë, lajmi.net transmetoi raportimet e opinionistes Zana Avdiu, që përmes një postimi në “Facebook” pohoi se tezja e saj po lufton me vdekjen në QKUK.
Përkundër situatës së rënduar për të, ajo është refuzuar nga reparti intensiv, për mungesë shtrati.
“Tezja ime po lufton me vdekjen në QKUK. Mjekët të cilët e kanë operu, dhe e kanë pas në kujdes deri tash, po thonë se duhet të çohet në Intensivë. Intensiva nuk po e pranon, sepse po thotë që nuk ka shtretër. Pra, në QKUK, mund të vdesësh sepse nuk ka SHTRETËR!”, shkroi ndër tjerash ajo.
Redaksia jonë menjëherë kontaktoi me drejtorin e këtij reparti, Shaqir Uka. Ky i fundit, për lajmi.net tha se përkundër faktit që është në pushim, pra s’është kujdes, posedon informatat që të gjithë shtretërit janë të zënë.
“Unë nuk jam kujdestar, jam në pushim, por në bazë të asaj çka më është raportu, secili shtrat është i zënë”, tha fillimisht ai.
Ndërkaq, duke u pyetur për kapacitetet, ai shtoi se kjo situatë është në vazhdimësi.
“Në 99% të kohës është kjo. Pra të gjithë shtretërit janë të zënë”, përfundoi Uka për lajmi.net.