“As mish, as peshk” – presidentja sërish luan me “kartat e pakuptimta” të saj

Një tjetër herë kur presidentja e vendit nuk mban anë, pro ose kundër, ani pse mes rreshtash kuptohet. I jep të drejtë qeverisë.

Ajo që shpeshherë është apostrofuar si patericë e kryeministrit Kurti, Vjosa Osmani edhe sonte nuk u lëshua shumë në qëndrime.

Në njërën anë flet për lirinë e medias, kurse në anën tjetër kërkon respektim të Kushtetutës, këtu duke mbajtur haptazi krahun e ekzekutivit.

“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike”, deri këtu është e qartë, por më pas vie paqartësia.

“Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”, thuhet ndër tjerash në komunikatë”.

Ky nuk është paragrafi i vetëm ku ajo mban baraspeshën.

“Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, shkruan ndër tjerash ajo, duke ngjallur pyetje: kur nuk është zbatuar ligji nga organet gjyqësore? Kush ka ndërhyrë?, e të tjera të tilla./Lajmi.net