Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka reaguar sot pas thirrjeve nacionaliste të tifozëve serbë të futbollit që ushtria serbe të kthehet në Kosovë.
Tifo-grupi “Delije” kanë paraqitur një ‘tank’ si koreografi, ndërsa e kanë shoqëruar me një shkrim ku thuhet: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
E pas këtyre thirrjeve ka reaguar eurodeputeti austriak Lukas Mandl ku në një postim në Twitter, ka etiketuar shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe i pyet nëse janë në dijeni se çfarë po ndodh.
“Ju ende dëshironi të sanksiononi? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Miroslav Lajçak a e shihni se çfarë po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në uljen e tensionit, pajtimin, paqen. Të gjithë. Të gjithë ne”, shkruan Mandl.
Ndryshe, lidhur me thirrjet nacionalistëve të tifozëve serbë kanë reaguar edhe zyrtarë qeveritarë.Kryeministri Albin Kurti ka thënë se “në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Tribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan.
Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”.