Dënohen me 4 vite burgim për korrupsion katër ish-inspektorët kosovarë

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur fajtorë ish-inspektorat e Komunës së Prishtinës, Ismet Halitit, Skender Canollin, Mërgim Shalën dhe Vehbi Abdullahun, duke i dënuar me 4 vite burgim për korrupsion.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve të lartcekur u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Haliti i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe atë për pikën 1 të dipozitivit e ka dënuar me burgim prej 1 viti, nga pika 2, burgim prej 4 muaj, për pikën 3, burgim prej 4 muaj, për pikën 4, burgim prej 3 muaj, ndërsa për pikën 5, dënim prej 3 muaj.

Të njëjtit gjykata po ashtu i ka shqiptuar dënim plotësues, ku i konfiskohet; automjeti i tipit “Audi Q7”, automjeti i tipit “Wolsagen Golf”, si dhe parat në shumën prej 11 mijë euro, të gjitha këto si dobi pasurore të përfituara me kryerjen e veprave penale.

Ndërsa, të akuzuarit Canolli gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të përshkruara në pikat e aktakuzës, ashtu që për pikën 1 të dipozitivit, dënim me burgim prej 6 muaj, për pikën 2, burgim prej 4 muaj, ndërsa për pikën 3, burgim prej 4 muaj.

Të njëjtit iu konfiskua automjeti i tipit “Wolsfagen Passat”, parat në shumën 10 mijë e 560 franga zvicerane, 2 mijë e 600 dollar amerikanë dhe 1 mijë e 880 euro.

Kurse, sipas aktgjykimit të akuzuarit Abdullahu gjykata i ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muaj, përkatësisht për pikën 2, burgim prej 4 muaj, për pikën 3 prej 4 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit do t’i shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 12 mijë euro.

Gjithashtu, dënim me burgim iu shqiptua edhe të akuzuarit Shala, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe atë dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili dënim me pëlqim e të akuzuarit do t’i shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro. Të njëjtit iu konfiskohet banesa në lagjen Kalbria.

Të akuzuarve Haliti, Canolli Abdullahu dhe Shala do të ju llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Sipas aktgjykimit, urdhërohet Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të shesin automjetet e precizuara si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, pasi i njëjti të bëhet i formës së prerë, si dhe nga shitja e tyre, parat e fituara të derdhen në buxhetin e Kosovës.

Gjithashtu të njëjtit obligohen secili veç e veç që të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, ashtu që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumë prej 200 euro, si dhe shumën prej 100 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar, Komuna e Prishtinës për realizimin e kërkesës pasurore juridik udhëzohen në kontest të rregullt civil, ndërsa palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykim.

Ndërkaq, në seancën e 15 dhjetorit 2021, prokurorja e kishte ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi.

Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.

Në pikën tre të aktakuzës së ndryshuar, prokurorja Hajdari tha se kjo pikë ka të bëjë me të pandehurit Haliti, Canolli dhe Abdullahu, me objektin në lagjen “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”, e që në aktakuzën bazë ishte në pikën 1.10, ku sipas aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Në pikën katër dhe pesë të aktakuzës së ndryshuar, të cilat pika sipas prokurores Hajdari kanë të bëjnë me objektin nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest”, i akuzarit Haliti akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal

Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, konkretisht në pikën gjashtë, i pandehuri Shala akuzohet për veprën penale e cila ishte në pikën 1.4 në aktakuzën bazë, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, thuhet se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë euro si dhe një pistoletë.

Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel për aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të Ligjit Penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Për keqpërdorim detyre, i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.

Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.

Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 8 mijë euro.

Kurse, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18 mijë euro gjobë.

Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.

Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar në Gjykatën e Apelit, edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke kërkuar për të dytën herë pafajësinë.

Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.

Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit i ka aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e ka kthyer ne rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal.