Për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të mërkurën u raportua se është parë duke pirë duhan brenda hapësirës së mbyllur të një lokali.
Në seancën e Kuvendit të enjten, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, pasi hodhi disa akuza ndaj Qeverisë Kurti përmendi edhe rastin në fjalë të ministrit Vitia.
Ndonëse ky i fundit nuk ishte prezent në sallë, Berisha u afrua te vendit ku ulet ai dhe aty la një paqetë me cigare.
“Do të doja të ishte ministri i Bujqësisë këtu sepse është në domenin e tij që të ndalojë pirjen e duhanit në ambiente publike në hapësira të mbyllura. Dje, në media u pa se vetë ministri i Shëndetësisë e bën këtë vepër. E meqenëse ai sot nuk është këtu, e kam një malboro origjinal këtu, origjinal prej jashtit, dhe shpërndajeni te të gjithë ministrat edhe këtu në Kuvend”, tha deputeti opozitar.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se duhani e dëmton shëndetin dhe se provimi e shpërndarja e tij nuk është gjest për t’u bërë në Kuvend.