Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë që rëndon ndaj tij.
Bytyçi po ngarkohet për veprën penale, shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë i pandehuri në gusht të vitit 2022, kishte vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi t’ia ndalojë ushtrimin e detyrës dhe t’ia mohojë nënshkrimin në listën e arsimtarëve prezent.
Megjithëse, për shumë vite përcolli breza të nxënësve, mësueses iu pamundësua hyrja në shkollë kur vendosi të barte shaminë.Përball kësaj akuze, ish drejtori Bytyçi u deklarua i pafajshëm.
“Nuk e pranoj fajësinë, pasi aktakuza është e pabazuar”- tha ai.
Muhamet Mujaj, avokat i cili përfaqëson mësuesen Lezi, ka deklaruar se qëndron prapa ndjekjes penale dhe pranë kërkesës pasurore juridike.
Pas kësaj gjykata ka udhëzuar të akuzuarin që në afatin prej 30 ditësh të parashtrojë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Sipas aktakuzës më datë 30 gusht 2022, në fshatin Reshtan, Komuna e Suharekës, në shkollën fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor i shkollës duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij ia mohon ose ia kufizon të drejtën për shprehje të lirë të identitetit të saj ose për të gëzuar autonominë e saj fetare të dëmtuarës, Remzije Lezi.
Në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara kishte vendosur mbulesë fetare dhe për herë të parë ishte paraqitur me mbulesë në shkollën ku punonte si mësimdhënëse e matematikës, i pandehuri si drejtor i shkollës ia ndalon hyrjen në objekt.
Prokuroria thotë se e dëmtuara edhe përkundër ndalesës ka shkuar në shkollë dhe ka qëndruar aty aq sa ka qenë e paraparë të rri por që nuk është lejuar të nënshkruaj listën e prezencës në detyrë e as listën e sindikatës meqë ishin në grevë.
Ditën kritike i pandehuri ia ofron të dëmtuarës vendimin e Këshillit Drejtues të shkollës nr.31 datë 29 gusht 2022, në bazë të së cilit nuk i lejohet ushtrimi i profesionit të mësueses në atë shkollë dhe pas këtij vendimi e njëjta dy ditë nuk shkon në shkollë por pasi dëgjon në lajme kryetarin e komunës së Suharekës, se ai vendim është i pavlefshëm të nesërmen shkon në shkollë por përsëri i pandehuri i kërkon që të largohet dhe po ashtu ia mohon të drejtën e nënshkrimit në listën e arsimtarëve prezent në shkollë.Me këtë sipas Prokurorisë i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.