Shkuan t’ia shkyçin gypin që e shfrytëzonte ilegalisht për ujitje, sulmon mbikëqyrësin e ‘Hidrodinit’

Zyrtarët e kompanive për shërbime publike gjatë punës së tyre në terren, në shumë raste hasin në telashe me qytetarët.

Shpesh herë ata përballen me ofendime, kërcënime e sulme fizike të cilat ua vështirësojnë punën dhe ua rrezikojnë jetën.

Me një rast të tillë është përballur së fundi një mbikëqyrës në Kompaninë Rajonale për Ujë dhe Kanalizim ‘Hidrodrini’ në Istog, i cili bashkë me punëtorët kishin dalë në terren për të shkyçur një kyçje e cila përdorej ilegalisht për ujitje të tokës.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari me t’i parë zyrtarët e ‘Hidrodrinit’ , ka kërcënuar mbikëqyrësin dhe të njëjtit i është sulur ta sulmojë me një shufër metalike.

56-vjeçari ua ka pamundësuar punonjësve të kompanisë ta kryejnë punën e tyre dhe i ka larguar ata që aty. Përballë kësaj situate, rasti është denoncuar në Polici dhe si rrjedhojë i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Sulm’.