Një aksident i rëndë në trafik ka ndodhur sot rreth paradite në rrugën Gjakovë – Prizren, në fshatin Bishtazhin, ku për pasojë ka humbur jetën një person. Shoferi që vdiq dyshohet se e humbi kontrollin mbi automjetin e tij, duke u përplasur me kamionin, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Visar Berishën, 25-vjeçar, i cili fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë dhe humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Rreth orës 10:40 është raportuar aksident trafiku në fshatin Bishtazhin (rruga Gjakovë-Prizren). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku të përfshirë në aksident kanë qenë një kamion dhe një veturë. Për pasojë një person, mashkull i moshës madhore, ka humbur jetën (ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij). Rasti është duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”, ka thënë ai.