Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të zhvillohen pa u shtensionuar situata në atë zonë. Por, ai shtoi se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në këto katër komuna.
“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në konferencë për media lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se Kosova s’do t’i shpall zgjedhjet në veri të Kosovës derisa BE nuk i heq masat ndaj Kosovës.
Kurti ka thënë se Bislimi dhe Lajçak kanë arritur një dakordim se si duhet të zbatohen kriteret e Bashkimit Evropian të datës 3 qershor dhe thotë se ajo marrëveshje duhet zbatuar.
Shefi i qeverisë ka thënë se nuk beson që dikush të pret të ketë zgjedhje të reja në veri pa u bërë deeskalimi i plotë, shkruan Syri.net Kosova
“Së pari duhet të kemi parasysh që është bërë një dakordim në mes të Bislimit dhe emisarit Lajcak lidhur me atë se si duhet zbatuar qëndrimi i 27 vendeve të BE-së. Ne kemi një dakordim. Shtetin e Kosovës e përfaqëson Qeveria e Republikës. Ne kemi çuar z.Besnik Bislimin. BE-në e përfaqëson Borelli. Ai e ka dërguar Lajçakun. Është arritur dakordimi. Se si duhet të zbatohen kriteret e qëndrimit të BE-së, janë takuar këta dy dhe është arritur një marrëveshje. Kemi një dakoordim mes Bislimit dhe Lajçakut. Kjo ka të bëjë me de-eskalimin. Unë nuk besojë që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të kemi zgjedhje në veri. Megjithatë ne e vazhdojmë punën, jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje në veri të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka thënë Kosova pret që ato të hiqen sa më shpejt. Për deklarimin e zv.kryeminitrit Bislimi, Kurti ka thënë se s’bëhet fjalë për kushtëzime, por për rendin logjik të gjerave, e që sipas Kurtit është zbatimi i dakordimit në mes të Bislimit dhe Lajcakut.
“Masat që janë marrë ndaj nesh, që janë quajtur edhe të përkohshme edhe të kthyeshme, natyrisht presim që të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo duhet të ndodh paraprakisht. S’bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave, që duhet të ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit në mes të Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin, i realizuar në Bratislavë, që natyrisht e krijon atë normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Kurti.
Kurti kërkon nga ndërkombëtarët të dënojnë zëshëm çfarëdo fushate kërcënimi ndaj policëve serbë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se fushatat në rrjete sociale që kanë për qëllim frikësimin e pjesëtarëve të rinj të policisë nga komuniteti serb, janë të papranueshme për qeverinë.
Këto komente Kurti i bëri në një konferencë për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.
“Më lejoni që t’u uroj edhe njëherë fillim të mbarë të punës gjeneratës më të re të policisë së Kosovës, veçanërisht nga komunitetet joshumicë në komunat veriore të vendit tonë. I përgëzoj për kurajon e tyre për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe vullnetin e tyre për t’i shërbyer rendit dhe sigurisë në vend, sidomos 46 policët e rinj nga komuniteti serb. Fushata në kanale e platforma sociale që ka për qëllim frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne, edhe pse jam i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vet tyre”, tha Kurti.
Kurti, po ashtu shtoi se, faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar kërcënimi e linçimi ndaj policëve, si dhe duhet të jenë të zëshëm ndaj trysnive të Beogradit.
“Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë profesionistë të guximshëm. Ata janë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës sepse janë qytetarë të cilët kanë dashurinë për vendin dhe e shprehin këtë duke i kontribuar atij. Faktori ndërkombëtar duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar kërcënimi e linçimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë. Në të njëjtën kohë duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim kanë parandalimin e integrimit të plotë të tyre në jetën institucionale të Kosovës. Ata që integrohen jetojnë më mirë, ky është fakt. Ata që nuk integrohen fatkeqësisht mbesin peng e subjekt i trysnisë financiare dhe keqpërdorimit politik nga Beogradi zyrtar. Kjo po dëshmohet në vazhdimësi. Institucionet tona pa dyshim që do t’i ofrojnë mbështetje të plotë policëve të rinj ashtu sikurse komunitetit prej nga vijnë e ku do të shërbejnë”, tha Kurti.