Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
Haziri, në një intervistë për KosovaPress kërkon nga kryeministri Albin Kurti të jap dorëheqje, pasi i sheh si vështirë të realizueshme mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë apo dhe shpërbërjen e Kuvendit. Sipas tij, pas zhvillimeve të fundit në vend dhe sanksioneve ndërkombëtare, Kurti ka humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet janë një opsion serioz, siç thotë ai, për rikthimin e normalitetit në Kosovë.
Krahas kësaj, i dyti i LDK-së akuzon Kurtin se ka agjendë të fshehur në raport me dialogun me Serbinë. Derisa flet për KosovaPress edhe për mundësitë që LDK-ja të dalë me një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjedhjet e brendshme në LDK.
Haziri nënvizon se LDK është e gatshme qysh nesër të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, por kërkon një konsensus më të gjerë parlamentar, përfshirë edhe mazhorancën.
“Zgjedhjet janë një opsion dhe opozita është gjithmonë e gatshme. LDK-ja si një prej partive kryesore opozitare nesër është e gatshme me hy në proces zgjedhor. Ne nuk presim gjë tjetër gjatë kohës kur je në opozitë veç me shty agjendën zgjedhore. Por ajo kërkon një konsensus më të gjerë që përfshinë edhe shumicën parlamentare. Iniciativa për mocion mosbesimi është e shkurtë dhe pamjaftueshme. Shpërbërja e Kuvendit po ashtu, pa pjesëmarrjen e shumicës parlamentare nuk mund të ndodh, ku mund të themi edhe kryeministri del me fytyrë nëse është ky qëllim dhe deputetët e rrëzojnë vetveten. Por ec e gjeji ata deputetë që janë të gatshëm të shpërbëjnë mandatin e vet. Kjo ka ndodhur një herë në Kosovë, ku zotëri Thaçi në koalicion me AKR-në e kanë shpërbërë Kuvendin dhe kanë çuar vendin në zgjedhje. Më e mira dhe më e drejta edhe me popullin është dorëheqja, e cila shkakton zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë”, thotë Haziri.
Përkitazi me këtë, Haziri thotë se po ofrojnë opsion ndryshe për qytetarët, këtë sipas tij e kanë dëshmuar edhe në iniciativën e tyre të takimeve “Rruga e re”.
Në anën tjetër, Haziri shprehet i tronditur me incidentin e javës së kaluar në Kuvend, ku thotë se zyrtarët e lartë qeveritarë kanë prekur në sovranitet, duke u grushtuar me deputetët e PDK-së.
“Zotëri Kurti e ka humbur legjitimitetin përkundër numrave në Kuvend. Incidenti i fundit në Kuvend, ku zyrtarë të lartë të qeverisë prekin në sovranitet, pasi deputeti e ka një emër të përveçëm, por ai është përfaqësues qytetar. Salla e Kuvendit të Republikës përfaqëson sovranitet. Qeveria me ra në nivele të tilla të grushtohet me opozitën, këtë rast me PDK-në është tregues i qartë se është një lloj panike dhe frike politike brenda tyre. Ata dëshirojnë të mbulojnë me skandale të tilla, që erdh si pasojë e daljes në publik të një incizimeve që kanë ndodhur”, deklaron Haziri.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Haziri akuzon kryeministrin Albin Kurti se ka agjendë të fshehur në këtë proces, duke përjashtuar opozitën, shoqërinë civile dhe kategoritë e tjera shoqërore.
Sipas tij, agjendat e fshehura janë të rrezikshme, prodhojnë rezultatet të papritura dhe të padëshiruara.
“Kjo qeveri ka agjendë të fshehur. Asnjë qeveri në raport me dialogun nuk ka ndodhur me pas agjendë të fshehur. Çka është kjo agjenda e fshehur? Ne e dimë cilat janë parimet e negociatave, formati dhe agjenda e negociatave. Kjo nuk është e re, tash e tridhjetë vjet shqiptarët e Kosovës kanë vendosur se me Serbinë negociojnë me ndërmjetësim ndërkombëtar, garancinë të ShBA-së dhe vend neutral. Parimi i negociatave është rikthyer ai i vitit 2013, i cili nënkupton se çdo marrëveshje ka një lloj ambiguiteti konstruktiv. Tash lëvizet prej Brukselit që ka qenë qendra kryesore e negociatave, ka takime në Bratislavë, Ohër dhe Kretë… Ka pasur një agjendë të fshehur që e dinë veç kryeministri dhe dikush rreth tij dhe askush tjetër. Opozita është e përjashtuar, shoqëria civile është e përjashtuar, hiç katër këshilltarë që i paguan qeveria norvegjeze. Nuk e di çfarë roli kanë por ata janë të angazhuar. Komiteti i biznesit, akademikëve janë të përjashtuar nga kjo pjesëmarrje. Pse duhet me pas një qeveri një agjendë e cila është për ta. Agjendat e fshehura janë të rrezikshme, pasi prodhojnë rezultat të papritur dhe të padëshiruar”, thekson ai.
Nënkryetari i LDK-së, shton se kriza aktuale në veri është edhe tek hezitimi i kryeministrit Kurti të hartojë statutin e Asociacionit.
Ai është kritik ndaj Kurtit për qasjen e tij në raport me aleatët ndërkombëtarë, pasi përkundër dakoordimit në Bratislavë për depërshkallëzim të situatës në veri ende s’ka largim të masave ndëshkuese ndaj Kosovës që janë vendosur nga BE-ja.
Ndërkaq, Haziri, nënvizon se LDK-ja nuk do të propozojë asnjë draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe derisa është në opozitë.
“Tash s’ka implementim andaj ngërçi është aty. Elefanti në dhomë është statuti i Asociacionit. Gjithçka po bëhet me i ikë draftimit të këtij dokumenti, në anën tjetër partnerët tanë presin, asgjë tjetër dhe më pak se një dokument që paraqet vizioni e qeverisë në lidhje me organizimin dhe kompetencat e komunave me shumicë serbe në Kosovë…Vetëm kur jemi ne në qeveri dhe përgjegjësi shtetërore, përndryshe LDK-ja s’ka asnjë lloj obligim kur është në opozitë me draftu akte që i takojnë qeverisë. Me kushtetutë qeveria është organi i vetëm ekzekutiv t’i zbatojë detyrat, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, thotë nënkryetari i LDK-së.
Haziri për KosovaPress flet edhe për procesin zgjedhor në LDK, ku në shtator pritet të zgjidhet kryetari dhe strukturat e reja.
Ai e bën të qartë se kësaj radhe s’do të kandidojë për të qenë kryetar i LDK-së, ndërkohë thotë se kandidati i vetëm pritet të jetë kryetari aktual, Lumir Abdixhiku.
“Para dy vjetëve unë jam dal kandidat kur LDK-ja i ka pasur ditë më të vështira të saj politike dhe kam përcaktuar rolin tim. Tash këto dy vjet ne kemi arritur të përballojmë situatën të rikthejmë politikisht shumëçka. Unë nuk kam shpreh asnjë lloj interesimi që të kem një tjetër rol në LDK, përpos këtij që e kam tash. Jam konfirmuar edhe për një mandat në strukturat e LDK-së në Gjilan, që e kam shumë për zemër. Procesi zgjedhor në fund të shtatorit determinon çfarë statusi do të na jep kuvendi i ardhshëm. Por për momentin është vetëm zotëri Lumir Abdixhiku kandidat i LDK-së për kryetar. A mundet të del dikush, mundet, pasi LDK-ja pas mbyllet cikli zgjedhor në degë fillon me u shfaq interesimi”, përfundon Haziri.