“Nuk vijmë kurrë në VV”, kështu e kritikonin Kurtin në opozitë Osmani dhe disa deputetë të VV-së

Lëvizja Vetëvendosje sot gjendet në pushtet duke qeverisur me vendin së bashku me Listën Guxo, por edhe pse ka 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës, jo të gjithë prej tyre e kanë mbështetur këtë parti dhe kryeministrin Albin Kurti para se të vinin në pushtet së bashku.

Në dy video të shpërndara në rrjetin social “Tik-Tok”, shfaqen disa deputetë, ministra dhe presidentja e vendit duke folur për kreun e LVV-së, Albin Kurtin, shkruan lajmi.net.

Fillimisht në video shfaqet presidentja Vjosa Osmani duke iu drejtuar Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, ku i thotë të shikojë përreth se sa ish-deputetë të PDK-së ka përreth, e ku thotë se kjo është arsyeja pse ajo dhe Lumir Abdixhiku (kreu i LDK-së), nuk do t’i bashkohen kurrë Lëvizjes Vetëvendosje.

“…Do ta marrësh përgjigjen pse unë e Lumiri, jo sot por kurrë nuk do të vijmë në Lëvizjen Vetëvendosje”, dëgjohet duke thënë ish-deputetja e LDK-së, tashmë presidente, Vjosa Osmani.

Të njëjtën gjuhë kundërshtuese ndaj Albin Kurtit kishte pasur edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila e kishte cilësuar Kurtin si “ideolog i vjetër”.

“Unë e lidh me kohën e regjimit komunist dhe gjuha e tij më kujton kohën e regjimit komunist, gjuha që ai përdor”, kishte deklaruar Gërvalla.

Vetëvendosjen e kishte kundërshtuar edhe tashmë deputeti i kësaj partie, Armend Muja, i cili kishte thënë se kjo parti ka politika të viteve të ’90-ta, ndërsa sa i përket aspektit ekonomik, Muja kishte deklaruar se VV-ja ka politika të ’30-ave andaj edhe nuk mund të shërbejë alternativa në kohët moderne.

Edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, deri sa nuk ishte në pushtet së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, kishte deklaruar se Kurti nuk mund të ishte “njeri unifikues”.

“Qysh mund të jetë njeri unifikues ai person që ka gjuajtur koktej molotovi në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në takimin me dy këshilltarët e kancelares Angela Merkel, ata e kanë ngritë si shqetësim kryesor prezencën e gazit lotsjellës në Parlament të Kosovës”, kishte deklaruar Peci.

Deputeti i VV-së, Haki Abazi, nuk kishte kursyer gjithashtu komentet rreth Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se sa i përket prioriteteve, Vetëvendosje është e njëjtë me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Është përjashtuese, fragmentuese, nuk lejon energji dhe shumë shpesh nuk lejon debat”, kishte deklaruar Abazi.

Vetëvendosjen e kishte kritikuar edhe shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari – Lila, e cila kishte deklaruar se nuk pajtohet me disa prej metodave të kësaj partie.

https://www.tiktok.com/@sfidangajeta/video/7118859739223657733?referer_url=https%3A%2F%2Flajmi.net%2F&referer_video_id=7118859739223657733&refer=embed&referer_url=https://lajmi.net/nuk-vijme-kurre-ne-vv-keshtu-e-kritikonin-kurtin-ne-opozite-osmani-dhe-disa-deputete-te-vv-se/