KRU “Gjakova” SH.A. ka njoftuar konsumatorët në Rahovec lidhur me reduktime të furnizimit me ujë.
Me anë të një postimi në Facebook, kjo kompani rajonale e ujësjellësit shprehet se kanë filluar me reduktimet e furnizimit me ujë për Qytetin e Rahovecit.
“Ato do fillojnë nga ora 23:00-06:00 për zonën e parë të qytetit, ndërsa reduktimet për fshatin Potoqan i Ulët dhe Potoqan i Epërm do fillojnë nga ora 22:00 deri 06:00”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se reduktimet për Komunën e Rahovecit do të zgjasin deri në stabilizimin e furnizimit.
Ndaj këtij postimi kanë reaguar me komente shume rahovecas, duke akuzuar kompaninë se po bën padrejtësi dhe diskriminim, meqë sipas tyre, reduktime po bëhen vazhdimisht vetëm në Rahovec dhe jo edhe në Gjakovë e Prizren.
Lidhur me këtë, televizioni ka kontaktuar me zyrtaren për informim të KRU “Gjakova”, Dafina Syla, e cila tha se kjo po bëhet për shkak se në Rahovec dallon shtrirja e rrjetit të ujësjellësit dhe se për furnizim i nevojitet të bëhet edhe nëpërmjet stacionit të pompave, sidomos në vende që kanë shtrirje gjeografike më të lartë, ndërsa në Gjakovë e ka me rënie të lirë sepse është afër Liqeni i Radoniqit.
Syla po ashtu shtoi se prej krejt qyteteve ku bëjnë furnizim, specifike në Rahovec është keqpërdorimi i ujit.
“Ne e kemi shtuar kontrollin, i kemi shtuar ekipet në mënyrë që ta mbajmë gjendjen nën kontroll. Kryesorja është keqpërdorimi i ujit që ata e përdorin për ujitje të tokës. I kemi dyfishuar ekipet që me i ndalë keqpërdoruesit”.
“Stabilizimi nga reduktimet varet edhe nga faktori njeri”, sqaroi për Klan Kosovën zyrtarja për informim në KRU “Gjakova”, Dafina Syla.