Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e tij, pas kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj, Besnik Tahiri, ka dorëzuar të premten në Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Telegrafi merr vesh se këtë kërkesë të AAK-së e kanë nënshkruar edhe dy ish-deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e Fatmir Humolli.
E nga Presidenca kanë konfirmuar për Telegrafin se Osmani nuk do ta nënshkruajë ligjin deri në vendimin e gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.
Ligji për pagën minimale i cili u miratua në Kuvend javën e kaluar, u kundërshtua përveç nga opozita, edhe nga personat që përfitojnë nga skema pensionale për veteranët e luftës.
Kjo për shkak se ligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.
Të shtunën, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka mbajtur një protestë në Prishtinë kundër këtij ligji.