Të premten ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin “Subvencionet 3”, në mungesë të akuzuarit Salih Statovci dhe mbrojtësit të tij avokati Halit Shaljani.
Në këtë rast të akuzuar janë Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.
Pas mungesës së tyre, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj u shpreh se të akuzuarit ishin të njoftuar për seancën.
Por, që mungesën nuk e kanë arsyetuar.
“Nuk është prezent i akuzuari Salih Statovci, e as mbrojtësi i tij avokati i tij Halit Shaljani i cili është njoftuar për seancën e sotme, i njëjti e ka konfirmuar se për seancën që do të mbahet, por mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.
Në mungesë të kushteve ligjore seanca e së premtes është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua më 6 shtator.
Prokuroria Speciale në Kosovë kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 personave për rastin “Subvencionet 1”, prej tyre 11 persona zyrtarë e 10 përfitues.
Ata po akuzohen për veprat penale, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “marrje e ryshfetit”, “mashtrim në detyrë”, “dhënie e ryshfetit” dhe “mashtrim me subvencione”.
Më 30 qershor, Albanian Post, kishte raportuar për vazhdimin e aksionit “Subvencioni 2021”.
“Policia e Kosovës, me autorizim të organeve kompetente ka filluar një operacion të gjerë policorë, i cili është duke u realizuar në disa lokacione të komunave të ndryshme”.
Në muajin shkurt të këtij viti, ishin arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 janë zyrtarë të shtetit dhe janë konfiskuar 400 mijë euro, në një aksion të madh të policisë në Kosovë.
Skandali me subvencione në Bujqësi deri në shkurt të vitit 2021 kishte çuar në arrestimin e mbi 20 personave zyrtarë që dyshohen për ryshfet dhe rreth 400, mijë euro të sekuestruara./AlbanianPost