Një person është arrestuar pasi në furgonin e tij janë gjetur tri gjedhë, për të cilat, i dyshuari ka pasur pasaporta dhe certifikata të pavlefshme.
Siç njofton Policia e Kosovës, i njëjti ishte dyshuar fillimisht për kontrabandim me mallra. Rasti ka ndodhur në fshatit Stanqiq të Gjilan.
“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje, ka pranuar informatë se një kombi/furgon i dyshuar si i ngarkuar me mallra të kontrabanduara është duke lëvizur nga fshati Zllakuqan i Epërm-Maqedoni Veriore, përmes fshatit Stanqiq-Gjilan.
Pas pranimit të informatës së lartcekur, lidhur me rastin me datë 20 korrik 2023 janë vënë në lëvizje zyrtarë policorë me veturë civile, të cilët kanë bërë identifikimin e furgonit të dyshuar, të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale H.S, recedivist i kontrabandimit me mallra, ku pas kontrollit të realizuar në mjetin e tij janë gjetur të ngarkuara 3 (tre) krerë gjedhe, për të cilat i dyshuari ka pasur pasaporta dhe certifikata të pavlefshme, të dyshuara si të falsifikuara.
Lidhur me rastin është kontaktuar edhe njësiti i AVUK-ut, të cilët kanë kostatuar se matrikulat janë të dyshuara”, thuhet në njoftim.
Gjedhët dhe furgoni janë dërguar në Terminalin Doganor të Dheut të Bardhë.
Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, personi i dyshuar lirohet në procedurë të rregullt.