Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova nuk është kritikuar “kurrë” në Komitetin për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan siç ndodhi para dy ditëve gjatë raportimit të Gabriel Escobar.
Ai tha se ka pasur vërejtje e sugjerime për Kosovën, por “gjithmonë ka pasur vlerësime pozitive për qasjen strategjike të Kosovës në bashkërendim me aleatët”
Hoti ka shkruar se nuk duhet të ngushëllohemi pse kritikat kanë qenë më të mëdha ndaj vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Nuk duhet të na ngushëllojë fakti se kritikat kanë qenë edhe më të mëdha ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e mbajnë peng progresin e rajonit drejt integrimit evropian.”
Hoti vlerëson se mirëmbajtja dhe avancimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe aleatët e tjerë është e vetmja mënyrë për tu bërë ballë sfidave në konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Për ne nuk ka rrugë tjetër. Imagjinoni për një moment pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perspektivën e integrimit euro-atlantik pa mbështetjen e aleatëve dhe do të bindeni për nevojën e koordinimit tonë të plotë dhe të përhershëm me aleatët”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i LDK-së ka ironizuar me kontratën për lobim të nënshkruar nga Qeveria.
“Ndoshta kontrata për lobim, që e paska nënshkrua Qeveria, do të ndryshojë qasjen e Amerikës ndaj Kosovës”, ka shkruar ai.