Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të martën para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve pati kritika si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Njohës të zhvillimeve politike, konsiderojnë se kjo situatë e ka vënë në siklet edhe Washingtonin, derisa situata po shkon në një fazë të re, me shtensionimin dhe zgjedhjet në veri si synime.
Si mundësinë më të madhe për bashkëpunim Kosovë-SHBA, e ka konsideruar Marrëveshjen e Ohrit. Por toni në fundin e fjalisë së Gabriel Escobar, ka qenë i zymtë, tek sa ka përmendur se nga Qeveria e Kosovës, ende nuk e ka një zotim se do të përmbushë kërkesën për themelimin e Asociacionit, një prej pikave të Marrëveshjes.
Kjo ka qenë një çështjeve, që Esccobar, emisari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, e ka ngritur gjatë raportimit para anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Më duhet ta them që jemi të brengosur me mungesën e përafrimit, jo vetëm me SHBA-në por me gjithë komunitetin transatlantik. Prapë po kërkojmë mënyrën me të cilën mund ta bindim Qeverinë që t’i shohë Shtetet e Bashkuara si partner primar në rajon dhe përafrimi me Shtetet e Bashkuara i sjell dobi Kosovës e nuk e hedh jashtë nga aspiratat e veta”, ka deklaruar Escobar.
Escobar, tërthorazi ka kundërshtuar edhe synimet e qeverisë kosovare, për nxjerrjen e asaj që i referohen si plan sekuencimi, që sipas zyrtarit amerikan, nuk përfshihet në proces.
Sipas Belgzim Kamberit nga Instituti “Musine Kokalari” ky raportim tregoi edhe njëherë trysninë e SHBA-ve në drejtim të dy shteteve.
“Ka një lloj për të rritur presionin jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj Serbisë sepse aty u përmend që edhe Serbia mund të merr masa ndëshkuese nëse nuk marrin pjesë serbët e Kosovës në zgjedhje dhe aty nuk ndërhynë Beogradi pra në këtë drejtim kjo reflekton në një siklet të SHBA-ve me Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të cilat realisht po tregojnë që nuk po kanë gatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit”, ka deklaruar Kamberi.
Zhvillimet e fundit, sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Dorajet Imeri, po hyjnë në një nivel të ri, me dy qëllime kryesor .
“Takimet në ditët në vijim qofshin me përfaqësuesit e BE-së apo edhe vet angazhimin e SHBA-ve konsideroj që po kalon në një fazë të re dhe kjo fazë lidhet ekskluzivisht me shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës dhe ndoshta përgatitjet që mund të jenë planifikimet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme atje”, ka thënë Imeri.
Por një ish-drejtues i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, nuk është pajtuar krejtësisht me qasjen e administratës Biden në rastin e raporteve Kosovë-Serbi.
Për gjithë situatën ka folur edhe ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel i cili pos që tha se nuk pajtohet që Departamenti i Shtetit sanksionoi Kosovën për çështjen e targave dhe të kryetarëve të komunave në veri ai po ashtu shtoi që SHBA-të duhet të qëndrojnë me Kosovën.
Ai, mes tjerash ka shkruar se nuk ka pasur masa ndaj presidentit serb, Vuçiq, për presionin e ushtruar ndaj komunitetit serb të Kosovës, që rezultoi me bojkotin e zgjedhjeve, e mezi ishte dënuar dhuna e protestuesve serb ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, duke kërkuar ndryshim të qasjes.
“Washingtoni tani po e qetëson Vuçiqin në një përpjekje për të ulur tendencat e tij nxitëse”, ka shkruar mes tjerash Engel./RTV Dukagjini/