Dëshmitari i 15-të me radhë (me kodin 04586) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të dëshmojë për vdekjen e vëllait të tij, i cili është me masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes.
Kjo u bë e ditur nga leximi i përmbledhjes së dëshmisë së tij nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Në këtë përmbledhje është thënë se në korrik të vitit 1998, dëshmitari me familjen e tij po ktheheshin në shpi nga një ngjarje familjare dhe se gjatë rrugës u ndaluan nga anëtarë të UÇK-së, afër Drenocit.
Tutje thuhet se, ushtarët kishin urdhëruar që njëri prej anëtarëve të familjes të dal nga vetura dhe se dëshmitari kishte parë se anëtari i familjes u nxor nga vetura dhe u fut në një veturë tjerë.
Më tej thuhet se pas tri orësh, UÇK kishte urdhëruar dëshmitarin dhe anëtarët tjerë të vazhdojnë rrugën por anëtari i familjes (vëllai i dëshmitarit) ishte mbajtur nga anëtarët e UÇK-së.
Po ashtu është thënë se gjatë ditëve në vijim, familjarë dhe kushërirë kishin shkuar në Drenoc për të rënë në kontakt me anëtarin e familjes së tyre por se askush se kishte parë atë dhe se kufoma e tij asnjëherë nuk u gjet.
Paraprakisht dëshmitarit i janë paraqitur tri deklarata të tij të mëparshme, ajo e vitit 2004 dhe 2005 para UNMIK-ut dhe ajo e vitit 2020, dhënë para ZPS-së, ku dëshmitari pohoi se kishte dhënë deklarata më parë për rastin e vëllait por se nuk i kujtohen mirë pasi ka probleme shëndetësore.
Në këto rrethana, ZPS ka propozuar si prova deklaratat e mëhershme të dëshmitarit dhe provat plotësuese por jo edhe shënimin zyrtar, e që të njëjtat u pranuan nga trupi gjykues.
Pas leximit të përmbledhjes, nga ana e ZPS-së nuk kishte pyetje për këtë dëshmitar.
Ndërkaq me përmbajtje të redaktuar janë përcjell pyetjet e mbrojtësit të viktimave Simon Laws.
Dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë në seancën e së nesërmes, për tu përgjigjur në kundër-pyetjet e ekipeve mbrojtëse, nëse kanë.
Kurse, para fillimit të dëshmisë së këtij dëshmitari trupi gjykues ka pranuar si provë materialin e dorëzuar nga ZPS-ja për dëshmitarin Fransis Lewidge, duke thënë se janë të pranueshme sipas rregullit 138 dhe se janë relevante, autentike dhe kanë vlerë provuese si dhe nuk janë cenuese.
Si dhe, një pjesë e seancës ka qenë private me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Charles Smith.
Ndryshe, për seancën e së nesërmes, ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do të bëjnë kërkesën që të akuzuarit ta përcjellin seancën përmes video-lidhjes.