Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se nga SHBA nuk ka ardhur asnjë provë e vetme për pretendimet e tyre kundër kreut të Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), Aleksandar Vullin, ndaj të cilit kanë vendosur sanksione, duke thënë se “nuk pret të arrijnë, sepse “këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë provë”, por për sanksione të motivuara politikisht”.
“Ne nuk kemi marrë asnjë informacion nga Amerika, madje as një shenjë se bëhet fjalë për ndonjë vepër penale. Sigurisht që “do të kërkojmë shpjegim” nga Shtetet e Bashkuara, sepse kjo nuk është një çështje private, por një vendim i drejtuar kundër një zyrtari të lartë të qeverisë. Por, le ta lëmë këtë mënjanë, motivi i këtij vendimi është politika”, ka thënë Daçiq në një intervistë për gazetën pro-qeveritare serbe Politika.
Duke folur për arsyen pse u vendosën këto sanksione, Daçiq ka pretenduar se këto ishin “qëndrimet e Vulin ndaj Rusisë”.
“Sikur ne të kishim vendosur sanksione ndaj Rusisë, “nuk do të kishte sanksione kundër Vullinit” apo dikujt tjetër”, ka pretenduar Daçiq.
I pyetur se si kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet serbo-amerikane, Daçiq ka thënë se Serbia “ka bashkëpunim të mirë me SHBA në luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar”.
“Kjo është një nga shtyllat më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë të përgjithshëm. Dhe pikërisht për këtë “është për t’u habitur” që autoritetet shtetërore amerikane marrin vendime për sanksione ndaj një funksionari të lartë të Serbisë, me dyshime për lidhje “të supozuar” me krimin e organizuar. Por këtu po flasim vetëm për politikë, e kjo është politika shtetërore e Serbisë, të cilën e zbatojnë të gjithë ata që janë në krye të institucioneve”, ka thënë Daçiqi.
Ai gjithashtu ka pretenduar se me këtë veprim “ata duan të krijojnë një ekuilibër artificial” mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se “pas vendimeve të ashpra të Perëndimit dhe Amerikës ndaj Kosovës, ishte vetëm çështje ditësh se kur do të arrinte një vendim kundër Serbisë”.
“Kjo nuk ka qenë kurrë politikë e mirë, sepse nuk mund të krijosh një ekuilibër mes Kosovës, e cila me vite në vazhdimësi “ka minuar” dialogun, “ka ushtruar dhunë dhe nuk dëshiron zgjidhje”, dhe Serbisë, e cila “e mban gjallë dialogun dhe përmbush gjithçka që është dakorduar”, ka pretenduar Daçiq