Dëshmitari Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e ka përshkruar Jakup Krasniqin si ndër figurat më të respektuara të Republikës së Kosovës.
“Është prej figurave ma të respektuara në Republikë të Kosovës”, tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokates Venkateswari Alagendra.
Paraprakisht, dëshmitari Mustafa tha se Krasniqi gjithherë ka qenë intelektual dhe aktivist politik, i cili po krijonte besim në gjenerata dhe këmbëngulje që Kosova të jetë e lirë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai pohoi se UÇK ka qenë e krijuar nga vullnetarë dhe ka pasur vështirësi në organizim dhe se asnjëherë nuk e arriti strukturën e rregullt të ushtrisë.
Më tej, avokatja Alagendra përmendi disa emra dhe kërkoi nga dëshmitari të pohojë nëse ata ishin nga zona e Llapit, e që këtë e pohoi Mustafa.
Nga regjioni ku po luftonin, ai pohoi se ishte Kadri Kastrati, Nuredin Ibiht, Latif Gashi, Nazim Mehmeti, Naim Kadriu, Hyzri Talla dhe Fatmir Humolli.
Lidhur me Jakup Krasniqin, dëshmitari tha se e ka njohur atë si zëdhënës i UÇK-së.
“Kam pa dokumente, sidomos u dëgju fjala prej që është formu Gjykata Speciale se Jakup Krasniqi paska qenë zëvendës i UÇK-së, mund të ndodh që ka qenë po unë s’e kam njohur ashtu”, tha ai.
Po ashtu, tha se ai beson se as të tjerët nuk e kanë njohur Krasniqin si zëvendëskomandant.
Duke iu paraqitur libri i Skender Zhitisë dhe që ishin bërë dy emërime për zëvendëskomandantë dhe atë Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi si zëvendës për mbështetje, Mustafa tha se si mbështetës të aspektit politik të UÇK-së e ka njohur, por ai ka komunikuar me të gjithnjë si zëdhënës i UÇK-së.
Tutje, i paraqitet libri “Një rrëfim për luftën dhe lirinë”, ku Mustafa konfirmon se Krasniqi ka qenë në Rambuje si zëdhënës i UÇK-së dhe roli i tij në këtë delegacion ka qenë i njohur publikisht.
Dëshmitari po ashtu pohoi se Krasniqi ishte emëruar si zëdhënës i Qeverisë së përkohshme dhe kishte mbetur në këtë pozitë deri pas luftës.
Ndërkaq, lidhur me deklarimin e dëshmitarit se të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm qëndronin jashtë vendit kurse kishte përmendur Jakup Krasniqin si një ndër përjashtimet, Mustafa më tej tha se është e vërtetë që në mes të marsit ‘99, Krasniqi kishte shkuar në Tiranë.
Kurse, tha se në verën e ‘99-ës e di se Krasniqi kishte qenë ministër për Rindërtim dhe Zhvillim, duke shtuar se e di që ka qenë ministri më i suksesshëm në atë Qeveri të Kosovës.
Në vazhdim, dëshmitari është përgjigjur disa pyetje lidhur me aktivitetin e tij në LDK, ku tha se ai personalisht kishte qenë anëtar i forumit rinor të LDK-së, kurse e di se Krasniqi kishte qenë kryetar i këshillit arsimor në Drenas si anëtar i LDK-së.
“Gjithë udhëheqësit politik të LDK-së atëkohë, Podujevë, Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, kanë qenë logjistikë e UÇK-së”, sqaroi Mustafa.
Ai pohoi se pas luftës edhe anëtarë të UÇK-së i janë bashkëngjitur LDK-së, duke përfshirë Nuredin Ibishin.
Më tej, dëshmitari Mustafa pohoi se nuk i kujtohet se ka pasur mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm, ku është diskutuar për bashkëpunëtorë, me arsyetimin se ka pasur çështje shumë më të rëndësishme.
Por, ai konfirmoi se mendon se edhe po të kenë qenë takime të tilla, ka shumë pak mundësi që Jakup Krasniqi të jetë pjesë e takimeve të tilla.
Remi tha se nuk i kujtohet nëse është mbajtur mbledhje e tillë, por edhe po të jetë mbajtur nuk i kujtohet të ketë marrë ndonjë dokument apo për çfarë ka marrë atë dokument nëse e ka marrë dhe nuk i kujtohet nëse i është kërkuar të shpërndahet si i tillë.
Seanca ka vazhduar me pyetjet plotësuese nga prokurorja speciale Clare Lawson.