Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Gjermani, ka marrë pjesë sot në një bashkëbisedim me bashkatdhetarë.
Haradinaj ka thënë se është kënaqësi të shoh nga afër punën serioze që po bënë AAK në Gjermani e udhëhequr nga kryetari Ukë Blakaj.
“Iu bashkova sot kolegëve nga Dega e Aleancës në Mynih, në një bashkëbisedim përmbajtësor me bashkatdhetarë. Degë kjo e cila ka zgjedhur për kryetar Dardan Nitajn, një arkitekt i dëshmuar”.
“Është kënaqësi e veçantë që sa herë që jam në Gjermani e shoh nga afër punën serioze që bëhet falë strukturave të Aleancës në këtë shtet, udhëhequr nga Ukë Blakaj”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se AAK e ndjen peshën dhe rëndësinë që ka mërgata, me mirënjohje të përjetshme për kontributin e jashtëzakonshëm të saj.
“Falë një pune përkushtuese të strukturave, Aleanca po kalon nëpër një momentum shumë pozitiv në diasporë. Bashkatdhetarë të shumtë, njerëz të dëshmuar nga të gjitha fushat, po i bashkohen Aleancës sepse ata po e shohin si alternativën më serioze politike”.
“AAK e ndjen peshën dhe rëndësinë që ka mërgata, me mirënjohje të përjetshme për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në arritjen e lirisë dhe në procesin e shtetndërtimit”, është shprehur Haradinaj.