Para dy netësh, në Graçanicë pati të shtëna me armë si pasojë e një konflikti verbal mes dy personave, që për pak mund të përfundonte tragjikisht.
Personi i dyshuar tashmë ka rënë në prangat e Policisë, ndërkohë që në shtëpinë e tij është kryer edhe bastisje me ç’rast janë gjetur armë e drogë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u denoncua për gjuajtje me armë në drejtim të një 20-vjeçari është Behrim Ibrahimi, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe është dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të premten në mbrëmje, kur viktima kërkoi ndihmën e Policisë, pasi raportoi se është kërcënuar me armë zjarri nga i dyshuari, i cili sipas tij ka gjuajtur në drejtim të tij.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ndaj të cilit fillimisht është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje” e më pas është kryer bastisje në shtëpinë e tij.
Të njëjtat burime thonë se pas kontrollit policor, janë gjetur armë e municion, si dhe një sasi e substancave narkotike, që janë sekuestruar nga zyrtarët policorë në cilësi të provave materiale.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.