Ish-kryeministri, Isa Mustafa, është deklaruar mbi zhvillimet e fundit në vend, përfshirë arrestimin e më pas lirimin e avokatit, Besnik Berisha.
Ai thotë se me këtë akt, drejtësia sot nuk e cilësoi kriminel avokatin e njohur kosovar, megjithatë shprehet se ‘çdo gjë pritet nga ata të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit’.
”Drejtësia sot nuk e cilësoi kriminel avokatin e mirënjohur kosovar, Besnik Berisha. Doli që kriminel mund të jetë pushteti, që porositi apo ndikoi në arrestimin e tij. Në arrestimin e kompetencës profesionale, arrestimin e guximit për të shprehur mendimin; arrestimin e dinjitetit njerëzor. Dolën të zhgënjyer ata që deshën të njollosin qeverinë që unë e drejtova duke aluduar se u arrestua për krim ish këshilltari i saj (do të thoja për “nacionalizëm e irredentizëm”, siç ua mveshte UDB-ja jugosllave atyre që i ndiqte ti eliminonte e s’kishte argumente dhe fakte për ndonjë vepër konkrete). Çdo gjë pritet nga ata, të cilët pas perdes merren vesh me pasuesit e Millosheviqit për tu organizuar bashkërisht për të kundërshtuar e kërkesat e Veteranëve të UÇK-së. Por, duhet të gëzohemi se gjyqësia, të cilën shpesh po e kritikojmë, pas debatit maratonik për këtë rast, u tregua e drejtë dhe nuk u dorëzua para kërkesave absurde të karaxhozëve që deficitet e tyre profesionale i kompensojnë me aleanca me pushtetin; të cilët e harrojnë betimin e dhënë për zbatimin e Kushtetutës por bëhen hyzmeqarë të atyre që kanë dalë nga fakulteti pa bërë fakultet . Është inkurajues guximi i disa përfaqësueseve të mediave për shprehjen pa hezitim të mendimit të tyre për personalitetin e avokatit Berisha, dhe atë jo për të ndikuar në drejtësi por për të kërkuar drejtësi, siç është edhe ky opinion imi.
Kosova meriton shtet ligjor, avokatë të fortë e të guximshëm, prokurorë e gjyqtarë që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën e nuk veprojnë me porosi. Vetëm kështu, ne si qytetarë mund të ndihemi të sigurt. Nuk na bëjnë të sigurte sondazhet e partive politike por zbatimi i Kushtetutës dhe ndërtimi i shtetit të mirëfilltë ligjor”.