Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku pati rrahje mes dy taborëve – pushtetit dhe opozitës.
Ai ka thënë se partia e tij e refuzon këtë qasje si mjet për zgjidhjen e problemeve, siç refuzon edhe “gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit”.
“Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet. Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri. LDK e refuzon këtë qasje si mjet. Siç dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit”.
Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin e tij për të ardhmen e Kosovës. “Duket se rruga e Kosovës është e humbur tashmë. Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re, të tretë. Një që na bën vend normal, zhvillimor e euroatlantik”, deklaroi kreu i LDK-së.
E për ta ndjekur këtë rrugë, sipas tij, ai ka vazhduar me takimin e tretë konsultativ – kësaj radhe me profesorë e me diplomatë.
“Prandaj sot vazhdova këtë rrugë. Në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, zhvillova takimin e tretë konsultativ, këtë herë me profesorë universitarë e me diplomatë. Mes diskutimeve përmbajtësore për udhëkryqin historik të Republikës dhe nevojën e ndërtimit të masës kritike, gjetëm ide e pikëpamje fundamentale për nismën tonë”, tha kreu i partisë opozitare, LDK.
“Ky vend, ky shtet, kjo shoqëri ka nevojë për zgjim kolektiv, e vendosje të binarëve euroatlantik. Ju ftoj në këtë rrugëtim”, përfundoi Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
Kujtojmë se sot gjatë seancës së rregullt të Kuvendit të Kosovës, pati përleshje të dhunshme mes përfaqësuesve të qeverisë dhe atyre të PDK-së.