Deputeti boshnjak bën thirrje që të mos i jepen kompetenca Asociacionit: Mos gaboni siç gaboi BeH

Deputeti boshnjak, Shemsudin Mehmedoviq ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk duhet që ta pranojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me elemente të Republikës Serbe sikurse në Bosnjë.

“Nëse një Asociacioni të tillë do t’i jepeshin kompetenca siç i ka Republika Serbe, ju jo vetëm që do t’i humbisni atë pjesë të territorit tuaj, por edhe do të humbisni kontrollin në nivelin qendror, siç është bërë me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës me marrëveshjen e Dejtonit.

Ne kemi përvojë të hidhur me disa diplomatë të huaj në Bosnje e Hercegovinë, të cilët gjithmonë kanë qenë në anën e atyre që janë bartës së ideve politike të asaj çfarë ka ndodhur në Srebrenicë. Për fat të keq ata diplomatë sot veprojnë në çështjen e Kosovës dhe jam shumë skeptikë kur është në pyetje aktiviteti i tyre diplomatik dhe dëshira për gjetjen e një zgjidhje për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, ka theksuar Mehmedoviq.

Ai ka thënë se është pro të drejtave të serbëve sikurse edhe boshnjakëve e komuniteteve në Kosovë, por jo me kompetenca ekzekutive, të cilat do ta ndikonin në çrregullimin e sistemit shtetëror.

Mehmedoviq ka thënë se ndikimi dhe politikat e presidentin serb, Aleksandar Vuçiq janë pengesa kryesore që Bosnja e Hercegovina nuk e njeh Kosovën si shtet.

“Njohja e Pavarësisë së Kosovës? Ne nuk dyshojmë absolutisht që një gjë e tillë duhet të ndodhë dhe do të ndodhë një ditë, por për shkak të politikës së Aleksandar Vuçiqit, që ka satelitët e saj në Bosnje e Hercegovinë, ne nuk jemi në gjendje që brenda për brenda presidencës tonë të iniciojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës, pikërisht për shkak të relacioneve të Republikës së Serbisë ndaj Kosovës. Prandaj, unë shpresoj që qytetarët e Kosovës e kuptojnë pozitën që ndodhemi ne në Bosnje e Hercegovinë. Pra, ne kemi dy anëtarë të presidencës që janë të gatshëm për ta pranuar pavarësinë e Kosovës, por kemi anëtarin e tretë që vjen nga Republika Srpska, e që nuk jemi në gjendje ta ndryshojmë vullnetin e tyre politik rreth kësaj çështje të cilën ua ka vendosur Aleksandar Vuçiq apo ndonjë përfaqësues tjetër”, ka thënë Mehmedoviq.

Mehmedoviq, në një intervistë ekskluzive për ‘RTK Prime’, ka folur për gjenocidin që forcat serbe kryen 28 vite më parë mbi popullatën civile në Srebrenicë.

Mehmedoviq ka deklaruar se qëllimi i Serbisë ka qenë që Bosnja të spastrohet etnikisht. “Në vitin 1995 kur ka ndodhur gjenocidi në Srebrenicë me vëmendje të veçantë kemi dëgjuar me radiolidhje ngjarjet që po zhvilloheshin atje. Ne nuk i kishim informacionet para rrethimit të Srebrenicës. Ato na ishin këputur dhe krejt çka kishim informacion ishin radiolidhjet për t’u informuar për atë se çfarë po ndodhte atje”, ka thënë ai.

Mehmedoviq ka thënë se korriku i 95-së, përkatësisht ngjarja e ndodhur në Srebrenicë ka zgjuar emocion të pashlyeshëm. “Për natyrën e secilit njeri kjo bëhet vetëm që ta shkatërrojë moralin njerëzor dhe atë luftarak të secilit dhe të rezistentëve, por përkundër kësaj neve na u ngrit morali dhe na u ngrit morali edhe luftarak për të mbrojtur atdheun tonë dhe për ta mbrojtur jetën e njerëzve që jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shtuar ai.

Sipas tij masakra e Srebrenicës, siç edhe është dëshmuar edhe nga gjykata, ishte një motiv shtesë që forcat e Bosnjës të marrim zemër për ofensiva të reja e pas kësaj ndodhen edhe çlirime të mëdha të territorit të Bosnjës. “Armata jonë depërtoi në hyrje të Prijedorit dhe të Banjallukës. Në Banjallukë serbët veçse ishin në largim e sipër e po ashtu Deboj ishte pothuajse qytet i zbrazur por siç dihet pastaj bashkësia ndërkombëtare me fuqi të mëdha e ndalen armatën boshnjake në dyert e Prijedorit nën kërcënimin se do të na bombardojnë nëse do të vazhdojmë me depërtimin e mëtejmë”, është shprehur tutje deputeti i parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.

Mehmedoviq theksoi se aty diku nga data 10 korrik në mbrëmje e morën lajmin për gjenocidin e ndodhur dhe për endjen e fëmijëve, grave e pleqve në drejtim të trupave të UNMIK-ut të traumatizuar.

“Në atë kohë siç dihet Srebrenica ishte një zonë mbrojtur nga OKB-ja, ashtu sikurse Zhepa, dhe duke e ditur këtë Mlladiqi e sulmoi Srebrenicën, por popullata nuk e dinte që ushtarët e misionit të OKB-së aty ishin vetëm formalisht dhe që do të dështojnë në atë mënyrë – pra që dështojnë në mënyrë aq të pa aftë”, ka nënvizuar Mehmedoviq.