Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka komentuar përgjimet e publikuara nga Nacionale, ku Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, flet me Slavko Simiqin, ish-deputet i Listës Serbe.
Abazi për TV Dukagjini ka thënë se është i bindur se kryeministri Kurti, dhe Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë qenë në dijeni për bisedën e Mimoza Kusari-Lilës me Slavko Simiq.
“Jam i bindur absolutisht, e tha edhe Kurti sot që tha se ‘ne nuk varemi nga Lista Sërpska por kosovari e ka për detyrë të krijojë më shumë vota përfshirë edhe këto të Listës Sërpska’. Që do të thotë në një formë ose tjetër qenkemi të varur”, ka thënë Abazi.
Tutje, ai ka thënë se përgjimet po tregojnë se ka pasur keqmenaxhim të sistematizuar dhe manipulim të Grupit Parlamentar të LVV-së në dy vitet e fundit.
“Hapja e kutisë së pendores për keqmenaxhimin e Grupit Parlamentar të VV-së është bërë para njëviti e gjysmë kur kam filluar me dalë në konferencë për shtyp edhe kam kërkuar dorëheqjen e Mimoza Kusari – Lila dhe largimin e saj. Për brenda dy viteve në mënyrë sistematike është keqmenaxhu edhe është manipulu në mënyrë më të poshtër të mundshme Grupi Parlamentar të LVV-së, nga audio-incizimet shihet qartë kjo gjë”, ka deklaruar ai.