Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim me të cilin ish-ministrin i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq e ka liruar nga akuza për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Lutfiu.
“Ju njoftoj se i pandehuri I.T., është liruar nga akuza për veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, thuhet në përgjigjen e Supremes.
Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme thuhet se edhe pse mbrojtësi në kërkesë ka pretenduar se aktgjykimet e kundërshtuara përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, kjo gjykatë ka vlerësuar se në rastin konkret nuk janë vërejtur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, por se bazuar në provat e administruara në këtë çështje penale del se aktgjykimet e kundërshtuara janë marrë në shkelje të ligjit penal nga neni 385 par.1 nënpar.1.1 të KPP-së, pasi që vepra për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor dhe është dënuar nuk është vepër penale.
“Pra, provat e administruara nga ana e dy gjykatave më të ulëta gjyqësore janë interpretuar në mënyrë të gabueshme dhe rrjedhimisht janë nxjerr konkludime të gabuara, dhe atë në dëm të të pandehurit, andaj, kjo e bën të mundur ndryshimin e aktgjykimeve duke e vendosur këtë çështje në mënyrë meritore”, thuhet tutje në arsyetimin e aktgjykimit të Supremes.
“Së pari nxitja ose përhapja publike e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit nuk kishte ndodhur, meqë i pandehuri kishte shprehur një opinion të tij personal për ngjarje se vitit 1999 e që padyshim se opinioni i tij i shprehur me këtë rast edhe mund të mos përkon me opinionin e shumicës së banorëve të tjerë, por e rëndësishme në këtë aspekt është fakti se në këtë fjalim a u përdorën fjalët të cilat do të nxitnin një komunitet kundër komunitetit tjetër e që kjo në rastin konkret nuk ka ndodhur. Pra nga fjalimi i të pandehurit del se vetëm u konstatuan disa opinione të cilat nuk janë të sakta, por njëkohësisht në fjalim nuk pati përmbajtje të tillë që thërret në nxitje, urrejtje, përçarje apo mosdurim ndaj komunitetit tjetër”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Për më tepër, Supremja ka konstatuar se opinioni i paraqitur nga ana e të pandehurit lidhur me ngjarjen për të cilën ishte organizuar tubimi nuk u përcjell me ndonjë manifestim të hapur të urrejtjes ndaj një kombi tjetër në këtë rast kombit shqiptar.
“Në këtë kontekst pa dyshim se nuk është realizuar as mundësia e prishjes së rendit publik, pa dyshim se gjykatat e dy instancave më të ulëta gjyqësore në arsyetimet e aktgjykimeve të tyre në mënyrë të drejtë kanë interpretuar dispozitën ligjore se për kryerjen e kësaj vepre penale nuk është e domosdoshme prishja e rendit publik, por mjafton të argumentohet fakti i rrezikut abstrakt. Por sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, tani më kjo mundësi e prishjes së rendit publik ishte tejkaluar nga një rrezik abstrakt në atë konkret, meqë edhe një kohë të gjatë pas ngjarjes nuk kishin ndodhur reagime të atij dimensioni që do të manifestonte prishjen e rendit publik për shkak të deklarimeve të të pandehurit”, thuhet në vendimin e Supremes.
Todosijeviq kishte deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsyeja për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.