Larg familjes dhe pa bakllava e ëmbëlsira të tjera, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do ta festojnë edhe një festë në Hagë. Të shtunën, për festën e Kurban Bajramit, atyre pritet t’u bashkohet edhe Salih Mustafa. Gazeta Nacionale sjell detaje si kalojnë ditët e festave në Hagë.
Ndonëse jashtë burgut nuk kanë kaluar shumë kohë së bashku, brenda mureve të Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ish-krerët e UÇK-së të shtunën do të rrinë më gjatë me njëri-tjetrin.
Shumë prej të akuzuarve nga Gjykata Speciale së shpejti i bëjnë dy vjet që po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Gjatë kësaj kohe, të gjitha festat i kanë pritur të arrestuar, por duke qëndruar së bashku në Qendrën e Paraburgimit.
Salih Mustafa, ish-pjesëtari i UÇK-së i arrestuar nga Gjykata Speciale, deri vonë nuk ka pasur mundësi të qëndrojë me të paraburgosurit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit. Por, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ata do të mund të qëndrojnë gjithë së bashku. Kështu ka konfirmuar për gazetën Nacionale Gjykata Speciale.
Në një përgjigje për gazetën, Specialja ka bërë të ditur se të akuzuarit mund të qëndrojnë së bashku, për aq kohë sa dëshirojnë.
“Të paraburgosurve (përfshirë Salih Mustafën) u ofrohet mundësia të kalojnë kohë së bashku dhe të festojnë festa dhe raste të veçanta në përputhje me rregullat dhe rregulloret e institucionit të paraburgimit. Për sa kohë që është në përputhje me rregullat dhe rregulloret e institucionit të burgut, të paraburgosurit janë kryesisht të lirë të kalojnë bashkë aq kohë sa dëshirojnë”, thuhet në përgjigje.
E në ditë festive si kjo, ish-krerët e UÇK-së janë të lirë të komunikojnë edhe me familjet.
“Të paraburgosurit mund të komunikojnë ose të marrin vizita nga miqtë dhe familjarët në përputhje me rregullat dhe rregulloret e institucionit të paraburgimit edhe gjatë pushimeve. Për arsye të privatësisë, ne nuk mund t’ju ofrojmë asnjë detaj se si do ta kalojnë saktësisht këtë festë specifike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionalen.
E gjithë procedura e qëndrimit në Qendrën e Paraburgimit, është e rregulluar me ligjet e Speciales por edhe rregulloret për të drejtat e njeriut.
“Objektet e paraburgimit drejtohen në përputhje me rregullat dhe rregulloret që janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe sigurojnë që standardet e pranuara ndërkombëtarisht, për trajtimin e personave të privuar nga liria të respektohen gjatë gjithë kohës”.
“Në veçanti, ato marrin parasysh rregullat standarde minimale të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e të burgosurve dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve. Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit (DMU) e DSK-së siguron mirëqenien e të paraburgosurve në një mjedis të sigurt dhe të sigurt”, përfundon përgjigja e Gjykatës Speciale.
Aktualisht nga Gjykata Speciale të arrestuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa, Pjetër Shala dhe të dënuarit Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Kremta e Bajramit në luftë
Festa larg familjes, për ish-pjesëtarët e UÇK-së është diçka pothuajse normale.
Në kohën e luftës, festa e Bajramit, Krishtlindjet, Viti i Ri e festa të ngjashme, luftëtarët e UÇK-së i gjenin në ballë të luftës.
Shumë prej tyre ishin në zona të ndryshme të Kosovës, nëpër beteja që zhvilloheshin kryesisht në male, me qëllimin e vetëm për çlirimin e Kosovës.
Nga festat e asaj kohe në rrjetet sociale qarkullojnë rregullisht fotografi.
Në njërën nga to, në ëmbëlsirën e Bajramit, shkruhej UÇK.
Rastet e deritashme në Gjykatën Speciale
Aktualisht në Dhomat e Specializuara të Hagës janë duke u trajtuar katër raste. Në njërin prej tyre, pra në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, është shpallur aktgjykimi ku të njëjtit janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim për pengim të drejtësisë, ndikim në dëshmitarë e zbulim të dokumenteve.
Aktualisht, avokatët kanë bërë të ditur se do të ankohen në Gjykatën e Apelit të Speciales, pasi kanë vlerësuar se dënimi është i padrejtë.
Në fazën pothuajse të fundit, është edhe gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Ai po akuzohet për krime lufte, torturë, vrasje të paligjshme e vepra të tjera penale që pretendohet se janë kryer nga Cali në fshatin Zllash.
Ka përfunduar edhe dëgjimi i dëshmitarëve, dhe pasi të përfundojë afati për paraqitjen e provave nga mbrojtja, palët do të thonë fjalët e tyre përfundimtare, për t’i hapur rrugë më pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale në shkallën e parë.
Krejt në një fazë tjetër, është procesi kryesor ku po akuzohen disa nga figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, është ende në fazën paraprake. Mbrojtja ka kërkuar që gjykimi të nisë në këtë vit, por pas aktauzës së plotësuar me pika të reja, një gjë e tillë vlerësohet vështirë të ndodhë.
Thaçi dhe të tjerët, ishin deklaruar të pafajshëm edhe për aktakuzën e parë, por edhe për pikat e reja që janë shtuar së fundmi. Mbrojtja vazhdimisht ka kritikuar Gjykatën se edhe gati 1 vit e gjysmë pas arrestimit, nuk po ua mundëson krerëve të UÇK-së lirimin nga paraburgimi.
Në fazën parprake është edhe procesi ndaj Pjetër Shalës, por që i njëjti mund të nisë shumë më shpejt se ndaj Thaçit dhe të tjerëve.