AAK-ja kërkon që koeficienti i pagave të bëhet 129 euro

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që koeficienti në Ligjin e Pagave të bëhet 129 euro, 24 euro më shumë nga sa u miratua në Kuvend muaj më parë.

Në një tryezë të organizuar nga AAK-ja në objektin e Kuvendit të martën, Tahiri ka thënë se koeficienti 129 euro mund të bëhet veç me një amendament.

“Mendojmë që mënyra e vetme me i dhënë fund zhgënjimit në këto rrethana është koeficienti 129 euro. Ky koeficient mund të bëhet me një lëvizje të lehtë, me një amendament. Ne përmes një analize të thellë në interpelancë i kemi treguar ministrit si bëhet, ku merren të hyrat dhe pse nuk rrezikohet substanca e buxhetit”, ka thënë Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta mbajnë një takim më të gjerë me të gjitha sindikatat për të diskutuar rreth Ligjit të Pagave.

“AAK-ja do ta nisë hartimin e Ligjit të Pagave dhe detyrimisht Qeveria duhet ta miratojë”, ka thënë Tahiri.

Avokati i Popullit e ka dërguar Ligjin e Pagave në Gjykatën Kushtetuese pas shumë ankesave nga sindikatat dhe institucionet e ndryshme.Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në muajt e parë të vitit Ligjin e ri të Pagave me koeficient 105 euro. Opozita kishte kërkuar që koeficienti të ishte më i madh.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, e ka quajtur “të tmerrshme” qasjen e Qeverisë ndaj sindikatave.

Ka shtuar se Qeveria ministrat dhe kryeministri Kurti “shtyhen se kush ka inat më shumë”.

“Në opinion ishte krijuar një mendim negativ ndaj SBASHK-ut. Qeveria kishte qëllim që të gjente një fajtor që ligji të dështojë. Ligji i pagave ka krijuar një zhgënjim në arsim. Kanë nisur që arsimin ta lënë edhe punëtorët shëndetësorë. Më shumë se greva publike është e dëmshme greva e heshtur. Ne kemi shpresuar që së paku koeficienti të ishte 120. Është bërë edhe shkelje e ligjit për klasifikimin e viteve të shërbimit. Kjo ka ndodhur me qëllim që të krijohen pakënaqësi. Me këto ikje masive qe po priten nga arsimi Qeveria Kurti duhet t’ia bëjë një pyetje vetes kush do t’i mësojë nxënësit tanë. Po të vazhdojë ky trend do të kemi mungesë të kuadrove”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëse vazhdohet me këtë mënyrë, në shtator do të ketë sërish telashe. /Koha