Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-ja po kërkon koordinim për menaxhim të veriut të Kosovës, pasi sipas tyre kjo është një çështje e ndjeshme.
Hovenier tha po ashtu se e ka të vështirë të përgjigjet nëse situata në veri është afër shtensionimit, teksa e ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-së se presin implementim të plotë të marrëveshjeve e shmangie sa më të shpejtë të telasheve e pengesave.
Megjithatë, ai nuk ka pranuar të flasë për caktim afatesh për shtensionim, ndonëse sipas tij kjo çështje është me urgjencë.
Sa i përket sanksioneve të mundshme ndaj Serbisë, Hovenier ka thënë se duhet të flasë ambasadori amerikan në Serbi ose emisari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, por ka shtuar se “nuk është Kosova e vetmja përgjegjëse për tensionet”.