Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një intervistë për “Hard Talk” të BBC-së, ku është shtruar pyetja se “A po i ndez kryeministri i Kosovës, tensionet me Serbinë”.
Gjatë intervistës, gazetari i BBC-së ia ka numëruar të bëmat e tij si opozitar, gazin lotsjellës në Kuvend, dënimin nga gjykata për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave dhe i thotë se njihet si një politikan impulsiv e nacionalist “kokë nxehtë”.
Teksa i thotë këto, gazetari iu drejtua Kurtit se “mbase ju do ta shtyni këtë shumë larg”, duke iu referuar situatës në veri të vendit.
Kurti ia ktheu duke i thënë se mund të diskutojnë gjatë për të kaluarën politike dhe opozitarizmin, teksa e pinë nga një gotë verë, derisa shton se sa i përket veriut s’bëhet fjalë vetëm për të si kryeministër dhe se në këtë çështje nuk është i vetëm.
Kreu i Qeverisë thotë se shumica e popullit të Kosovës mendon që s’duhet dorëzuar në sundimin e ligjit.
Ai tutje shtoi se është kryeministër edhe i serbëve, teksa numëron Rashiqin si ministër në Qeveri dhe tre nënkryetarët e komunave në Veri.
Megjithatë Kurti tha se brenda minoritetit serb, ka një minoritet të privilegjuar serb që paguhet nga Vuçiqi dhe theksoi se përballë tyre s’do do të dorëzohet.
“Unë jam kryeministër edhe i serbëve. Kam një ministër serb. Tri komunat në veri kanë nënkryetar serb. Unë bashkëpunoj me serbët. Por serbët që Vucic i paguan të sabotojnë shtetin e Kosovës, këta janë minoritet i privilegjuar brenda minoritetit serb dhe unë nuk do të dorëzohem përballë tyre”, thotë Kurti në BBC.