Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.H i cili është në paraburgim pasi i njëjti dyshohet se ka transportuar ilegalisht kokainë nga Shqipëria në Kosovë.
L.H, siç shpjegon Prokuroria ishte kapur në flagrancë nga policia e Kosovës gjatë transportit të kokainës nga Shqipëria në Kosovë.
Sipas asaj që thotë aktakuza, L.H fillimisht kishte siguruar kokainën në Shqipëri dhe më pastaj me veturë të marrë me qira e kishte depërtuar kokainën në Kosovë, mirëpo pas informatave të siguruara dhe gjatë kontrollit, policia ka gjetur substancën në veturën e tij.
Pesha prej 101.49 gram kokainë iu gjet në veturë, ndërsa një sasi prej 0.82 gram iu gjet në trup të pandehurit dhe policia ka konfiskuar këtë sasi prej 102.31 gram.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ky është njoftimi i plotë:
Prizren, 11 korrik 2023 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.H., i cili aktualisht gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 3, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.H., me datë 06.05.2023 rreth orës 18:40 min në Pikë Kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim importon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “kokainë”, ku i njëjti haset nga zyrtarët policor përkatësisht njësiti Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, me veturën e marrë në “Rent a Car” e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo pas informatave të siguruara dhe gjatë kontrollit nga ana e policisë, brenda automjetit gjendet dhe sekuestrohet një qese plastike e substancës së dyshuar për narkotikë me peshë prej 101.49 gram dhe gjatë kontrollit një qese tjetër të dyshuar për narkotikë në peshë prej 0.82 gram i është gjetur në trupin e të pandehurit, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 102.31 gram, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit “kokainë”, përderisa të njëjtën natë në gjatë urdhër kontrollit të kryer në shtëpinë e të pandehurit, e cila gjendet në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar tri peshore digjitale, tri pako me folie (dy folie të najlonit dhe një e aluminit).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.