Fillimi i korrikut ishte java më e nxehtë që është regjistruar ndonjëherë për planetin si tërësi, sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM). Ky organ ka thënë se këtë vit është regjistruar edhe qershori më i nxehtë ndonjëherë, i nxitur nga ndryshimet klimatike dhe fazat e hershme të dukurisë “El Ninjo” të motit.
Ky është rekordi më i ri në një varg rekordesh gjatë gjysmës së vitit, ku në Spanjë ka ndodhur thatësia dhe në Kinë e në ShBA ka pasur valë të ashpra të vapës, raporton gazeta “The Guardian”.
“Bota porsa e pati javën më të nxehtë të regjistruar, sipas të dhënave preliminare”- thuhet në një deklaratë të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, ku shtohet se temperaturat po thyenin rekorde në sipërfaqe tokësore dhe në oqeane dhe se ato mund të kenë “ndikim potencialisht shkatërrues ndaj ekosistemeve dhe mjedisit”.
“Jemi në territor të paeksploruar dhe mund të presim që më shumë rekorde të bien, përderisa “El Ninjo” të zhvillohet më tej dhe këto ndikime do të hyjnë edhe në vitin 2024”- tha Christopher Hewitt, drejtor për shërbime klimatike në OBM. “Ky është lajm shqetësues për planetin”- shtoi ai.
Temperaturat globale në sipërfaqen e deteve ishin në shkallë rekorde për atë periudhë të vitit në maj e qershor, sipas këtij zyrtari. “Nuk është vetëm temperatura në sipërfaqe, por i tërë oqeani është duke u bërë më i ngrohtë dhe është duke thithur energji që do të mbetet aty për qindra vjet”- tha ai.
“Nëse oqeanet janë duke u ngrohur në masë të konsiderueshme, kjo ka efekt zinxhiror ndaj atmosferës, akullit të detit dhe akullit në mbarë botën”- tha Michael Sparrow, shef i programit për hulumtime të klimës globale në OBM.
Sidoqoftë, ai shtoi se efektet e dukurisë “El Ninjo” ndoshta do të ndihen në mënyrë më akute më vonë këtë vit. “El Ninjo ende nuk është zhvilluar vërtet”- tha ky zyrtar.
Shërbimi vëzhgues i klimës i Evropës, “Copernicus”, i tha agjencisë së lajmeve AFP se të dhënat e tij tregojnë që java e kaluar ka gjasë që të jetë më e nxehta që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave më 1940.
Përgjatë kufirit ShBA – Meksikë, agjentët federalë raportuan se temperaturat ekstreme gjatë fundjavës kontribuuan në vdekjen e dhjetë personave dhe shpëtimin e 45 të tjerëve./Nacionale