Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, është pajtuar plotësisht me deklaratën e ministres së jashtme, Donika Gërvalla, se BE është “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.
Ai thotë se reagimet për këtë deklaratë i kanë bërë më shumë opinionistët, ndërsa që opozita është normale që flet.
“Pse çka të bëjë në aspektin e sigurisë? Të kujt? Opinionistëve a? Opozita po, opozita e ka normal që me fol, po ma të madhe e kanë bë opinionistët”, thekson deputeti i VV-së.
Sipas tij, bombardimet e kanë dëshmuar se Amerika dhe Britania janë kryesoret në aspektin e sigurisë.
“Pajtohem plotësisht sepse BE nuk është e aftë ta bëjë sigurinë e vetë. Ne kemi pasur edhe bombardimet që kanë treguar që Amerika dhe Britania e Madhe janë kryesore”, shprehet ai
Sipas Bajqinovcit, sigurinë e kanë amerikanët dhe duhet qenë korrekt në këtë, derisa Kosova është pjesë e BE-së.
“Ne jemi pjesë e BE-së, por duhet me qenë korrekt, me tregu kush e ka sigurinë. Sigurinë në dorë e kanë amerikanët. Nëse nuk është ashtu më tregoni ju”, deklaron deputeti Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic