Dy punëtorë të kompanisë ‘Ndërtimi Ing’ bien në kontakt me telat e tensionit të lartë, dërgohen në spital

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset.

Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Malishevë.

Burimet brenda Emergjencës bëjnë me dije se dy punëtorë të kompanisë ‘Ndërtimi Ing’, dje në orët e pasdites, derisa kanë qenë duke punuar në rrugën “Ibrahim Mazreku’, dyshohet se kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 49-vjeçar dhe një 32-vjeçar, të cilët u dërguan me urgjencë në spital, njëri në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë e tjetri u transferua më pas në QKUK.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, dy viktimat pësuan lëndime teksa po e tërhiqnin një shtyllë nga rruga dhe për pasojë ranë në kontakt me telat e tensionit të lartë.

Posa Policia është njoftuar për incidentin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”.

Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga kompania, por numri kontaktues ka qenë i paqasshëm.

Kujtojmë se rrezikshmëria në vendin e punës vazhdon të jetë problem serioz dhe kjo dëshmohet me rastet e shpeshta, për të cilat ka raportuar në vazhdimësi gazeta.