Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se tre remujori i dytë i vitit ka shënuar dinamikë rekorde të investimeve kapitale në vend.
Ai ka treguar se kjo është bërë e mundur pas adresimit dhe rregullimit të shumë problemeve me projektet, kontratat dhe shpronësimet.
Sipas tij, tani ka nisur një dinamikë e re e investimeve kapitale nga organizatat buxhetore.
“Tremujori i dytë i vitit 2023 ka shënuar nivelin prej 110 milionë euro investime kapitale, që njëkohësisht është niveli më i lartë i regjistruar. Krahasuar me vitin paraprak, ka mëse dyfishim të dinamikës, gjë që pritet të shërbejë si impuls pozitiv edhe për rritjen e ekonomisë në TM2, më lart sesa në TM1 ku rritja reale ishte 3.9%. Një fenomen tjetër që vërehet nga grafiku, është një shpenzim më i lartë në kategorinë e kapitaleve në Tremujorin 1 për disa prej viteve paraprake, por që është botërisht e ditur se në muajt e dimrit kushtet atmosferike nuk mundësojnë kryerje të punëve”, ka shkruar Murati.