Miqësia interesante e të vrarit Shinzo Abe me Hashim Thaçin: E priti në orët më të rënda

Ish kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, është vrarë gjatë ditës së sotme në moshën 67 vjeçare derisa po e jepte një fjalim elektoral. Abe kishte një miqësi interesante me Hashim Thaçin, ish liderin e Kosovës që po mbahet në paraburgim në Hagë të Holandës. Si nisi kjo miqësi?

Abe u qëllua dy herë me armë zjarri në qytetin e Naras dhe vdiq nga plagët disa orë më vonë. Policia e kishte arrestuar për vrasjen e liderit japonez një 41 vjeçar me emrin Tetsuya Yamagami që kishte punuar në marinën e Japonisë.

Partner i madh

Sa herë që përmendim fjalën “partnerët ndërkombëtarë” ndërmend na vijnë emrat e shteteve të Perëndimit si ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania e Franca. Por, një partneritet shumë të rëndësishëm Kosova e kishte lidhur për më shumë se një dekadë me Japoninë.

Raporteve të shkëlqyera bilaterale mes Japonisë dhe Kosovës i kishte kushtuar një artikull edhe gazeta e famshme “The Diplomat” më 19 maj të vitit 2020.

Përveç që tregonte partneritetin e Kosovës me Japoninë, aty theksohej edhe mungesa e partneritetit me shtetin më të madh aziatik, Kinën dhe e cila tregonte për orientimin e vendosur gjeostrategjik të vendit tonë.

Por, përtej orientimit shtetëror një tjetër orientim më personal mund të ketë pasur rol të rëndësishëm: afërsia e ish kryeministrit Thaçi me ish kryeministrin Abe.

Thaçi-Abe

Ishte shtatori i vitit 2019 kur në cilësinë e presidentit, Hashim Thaçi do të udhëtonte drejt Tokios.

Për të, këta ishin muajt më të vështirë të presidencës – e ndoshta edhe gjithë karrierës politike – sepse Gjykata Speciale po i rrinte mbi krye duke i mbyllur dyert e shumë shteteve të fuqishme.

Më datën 13 të atij muaji e të atij viti, ai do të pritej nga kryeministri Shinzo Abe, e më pas edhe nga Perandori Naruhito. Presidentit Thaçi po i mohohej roli si prijës i negociatave me Serbinë brenda Kosovës – me Qeverinë Haradinaj II dhe një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese që i merrte rolin e kryenegociatorit – por Abe kishte shprehur qëndrim përkrahës.

“Japonia po promovon paqe dhe stabilitet në rajon. Ne mbështesim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Shpresoj ta shoh lidershipin e Presidentit Thaçi në arritjen e progresit në dialog,”

Thaçi do të udhëtonte drejt Japonisë edhe muajin pasues, në tetor 2019, për ta takuar sërish z. Abe në eventin e vënies në fron të Perandorit Naruhito.

Muaj më pas, Abe do të vendoste që Japonia të hapte ambasadën e saj në Kosovë.

Por, kryeministri Shinzo Abe do të jepte dorëheqje nga pozita që e mbante prej vitit 2012 në gushtin e vitit 2020 për shkaqe shëndetësore. Dhe, kryeministri Thaçi do t’i dedikonte një postim prekës e në të cilin do të shprehte keqardhjen për lajmin por edhe do t’i uronte shërim të shpejtë.

Vetëm dy muaj më vonë, Thaçi do të dërgohej në paraburgim në Hagë.

Kosova përfiton nga lidhjet Tregtare me Japoninë përmes Programit të Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP), njësoj si me ShBA-të dhe Norvegjinë.

Pas vrasjes së z. Abe, ka reaguar edhe presidentja aktuale e vendit, Vjosa Osmani e cila u shpreh si vijon: “Thellë e trishtuar nga vdekja tragjika e ish kryeministrit Shinzo Abe. Ai ishte lider i mahnitshëm që luajti rol instrumental në thellimin e raporteve Kosovë-Japoni dhe do të kujtohet si një aleat i popullit të Kosovës.”