Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka organizuar mbrëmë një ceremoni për të shënuar 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, ku kanë marrë pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Disa fotografi të Kurtit nga kjo ceremoni, i ka ndarë Zyra e Kryeministrit. por në asnjërën prej tyre, Kurti nuk shihet me Ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Kurtit nuk iu dha fjala gjatë kësaj ceremonie, por sipas ZKM’së, Kurti e ka uruar Hovenier për 4 Korrikun, “me dëshirat më të mira për kombin amerikan, aleatin e madh të Republikës së Kosovës”, raporton Express.
Fjalim ka mbajtur vetë Presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes për Kosovën.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë kritike ndaj vendimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me veriun e Kosovës. Sekretari Amerikan, Antony Blinken kishte kundërshtuar mënyrën se si Kurti ka vepruar pa koordinim për Veriun, derisa në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit ishte thënë se veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës do të kenë ndikim edhe në raportet ndërshtetërore SHBA-Kosovë.
Pas këtyre kritikave, SHBA ka marrë edhe masa. Kosova është përjashtuar nga operacioni ushtarak Defender Europe, ndërkohë që ka pasur edhe parlajmërime se mund të ketë masa edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti personalisht.