Petkoviq del me pretendime të reja: Policia e Kosovës ‘sërish’ hyri në territor të Serbisë, kemi video-dëshmi

Në një konferencë për media, i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, pretendoi se “sërish” Policia e Kosovës ka hyrë në territor të Serbisë “500 metra matanë vijës administrative”.

Për këtë ai thotë edhe se ka “video dëshmi të pamohueshme”.

“Një zyrtar policor nga Bujanovic nga pikëkalimi i Breznicës ka vërejtur një automjet të Policisë së Kosovës në drejtim të Karaçevës drejt fshatit të Breznicës, që po shpejtonte”, ka thënë ai.

“Do t’ua dërgojmë këto regjistrime të gjithëve nga komuniteti ndërkombëtar, sepse këtu vetëm Albin Kurti shkel të gjitha marrëveshjet. Kjo video tregon se ata kanë hyrë me automjet policor. Të tregon nivelin e gënjeshtrave dhe propagandës. Alicia Kearns, e cila akuzon Kishën Ortodokse Serbe, duhet ta shoh gjithashtu këtë video, të vërtetën e vetme që njerëzit e Kurtit janë të armtaosur”, ka thënë ai.

Petkoviq akuzon Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçlën, për “shkelje brutale të Rezolutës 12/44 dhe Marrëveshjes së Kumanovës”.