Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka bërë disa pretendime sot në lidhje me presidentin serb Vuçiq dhe kryediplomatin serb Daçiq. Atyre iu ka reaguar ky i fundit.
Berisha me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka pretenduar që mes datave 20-28 prill të këtij viti, Aleksandër Vuçiq është intervistuar në Hagë nga Gjykata Speciale si “dëshmitarë për dhjetëra vrasje të “boshnjakëve” në Bosnje dhe shqiptarëve në Kosovë.”
Ai është shprehur se ditëve në vazhdim pritet që Serbia të përballet me sanksione nga ana e ShBA-ve dhe BE-së.
Këtyre deklaratave iu ka reaguar Ivica Daçiq.
Ai është shprehur se pretendimet e z. Berisha janë “gënjeshtra brutale”, raporton Kosovo-Online.
“Unë do t’i kujtoj Hisenit se nuk janë Vuçiqi dhe Daçiqi në hagë, por presidenti i tij Hashim Thaçi dhe dhjetëra tjerë, të cilët akuzohen për krime lufte kundër serbëve dhe shqiptarëve që ishin kundër UÇK-së.” – vazhdoi shefi i diplomacisë serbe.
Tutje, z. Daçiq kërkoi që Gjykata Speciale ta mohojë publikisht këtë pretenidme të z. Berisha.